E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHBA – Trump mbërrin në Filipine, nis turin diplomatik në Azi

SHBA – Trump mbërrin në Filipine, nis turin diplomatik në Azi

UASHINGTON, 17 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump ka mbërritur sot në Filipine, ku do të zhvillojë takime me udhëheqësit rajonalë dhe do të marrë pjesë në një vizitë zyrtare, e cila shoqërohet me protesta kundër politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Trump mbërriti në Manila së bashku me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, pas përfundimit të takimeve kryesore të samitit të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN). Në këtë kuadër, presidenti filipinas, Ferdinand Marcos Jr do t’ia kalojë Singaporit kryesimin e radhës të organizatës.

Ndërkohë, disa kilometra larg vendit ku zhvillohet samiti, qindra aktivistë të majtë, studentë dhe përfaqësues të komuniteteve indigjene janë mbledhur që prej së dielës për të protestuar kundër vizitës së Trump.

Policia vendosi sot efektivë me mburoja dhe shkopinj gome në rrugët që të çonin drejt vendit të zhvillimit të samitit, për të penguar marshimin e protestuesve.

Gjatë vizitës, Trump pritet të marrë pjesë në një samit të posaçëm me udhëheqësit e ASEAN-it, në një takim të Dialogut Katërpalësh të Sigurisë (Quad), ku marrin pjesë Japonia, India dhe Australia, si dhe në një darkë të organizuar nga presidenti filipinas.

Ai pritet të zhvillojë nesër bisedime me Marcos Jr për çështjet e mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë, përpara se të udhëtojë drejt Shenzhenit të Kinës, ku do të marrë pjesë në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).

Ndërkohë, në takimin e formatit “ASEAN Plus Three”, përfaqësuesit e Filipineve, Japonisë, Kinës dhe Koresë së Jugut theksuan nevojën për forcimin e bashkëpunimit përballë konflikteve dhe ndërprerjeve të furnizimit në nivel global. /

Lini një koment