Shifrat flasin, Vllaznia fiton vetëm me portën të paprekur
Vllaznia ka gjetur një formulë të qartë për të marrë pikët e plota këtë sezon: të mos pësojë gol. Në katër ndeshjet që shkodranët kanë fituar deri më tani, porta e tyre ka mbetur e paprekur, një statistikë që tregon qartë lidhjen mes sigurisë në prapavijë dhe rezultateve pozitive. Dinamo, Teuta, Elbasani dhe Partizani janë katër kundërshtarët ndaj të cilëve kuqeblutë kanë dalë fitues, ndërsa në asnjërën prej këtyre sfidave nuk kanë lejuar gol.
Sukseset 1-0 ndaj Dinamos, 2-0 ndaj Tiranës, 1-0 ndaj Elbasanit dhe 0-1 ndaj Partizanit konfirmojnë të njëjtin skenar. Vllaznia ka qenë efikase në momentet vendimtare, por mbi të gjitha ka ditur të mbrojë avantazhin e krijuar. Në disa raste ka mjaftuar vetëm një gol për të marrë tri pikët, ndërsa në të tjera dy gola kanë garantuar suksesin, por elementi i përbashkët ka qenë gjithmonë porta e paprekur. Kjo statistikë kthehet në një trend që kuqeblutë do të kërkojnë ta vazhdojnë edhe në javët e ardhshme. Për një skuadër që synon të ngjitet në renditje, mbajtja e portës pa pësuar duket se është kthyer në një garanci të rëndësishme për suksesin.
Sa herë që Vllaznia ka ruajtur zero në prapavijë, në fund ka dalë me tre pikë, duke e bërë këtë një nga karakteristikat më të dallueshme të sezonit deri në këtë pikë. Në anën tjetër, statistikat tregojnë edhe një tjetër panoramë. Në tetë ndeshjet e tjera të zhvilluara këtë sezon, kuqeblutë kanë pësuar të paktën një gol dhe në asnjërën prej tyre nuk kanë arritur të marrin maksimumin.
Rezultatet kanë qenë ose barazime, ose humbje, duke konfirmuar se kur porta është thyer, Vllaznia nuk ka mundur të shkojë deri te fitorja. Në këtë mënyrë, shifrat e bëjnë edhe më të qartë varësinë e rezultateve nga performanca defensive.
Nuk është e thënë që një skuadër të fitojë vetëm duke mos pësuar, pasi futbolli lejon edhe skenarin ku mund të pësosh dhe sërish të marrësh tre pikë. Por për Vllazninë e këtij sezoni, deri tani ky skenar nuk është materializuar. Të katër fitoret kanë ardhur me portën e paprekur, ndërsa të gjitha ndeshjet në të cilat ka pësuar kanë përfunduar pa fitore.