Friday, 26 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaShiste kokainë dhe heroinë në ambient e “PlayStation” ku punonte, arrestohet 20-vjeçari në Durrës

Shiste kokainë dhe heroinë në ambient e “PlayStation” ku punonte, arrestohet 20-vjeçari në Durrës

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “PlayStation”, duke arrestuar një 20-vjeçar i cili dyshohet se shiste lëndë narkotike në ambientin ku ishte i punësuar.

Sipas policisë, shtetasi D. M., 20 vjeç, banues në Durrës, dyshohet se ushtronte veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogës brenda një ambienti “PlayStation”-i, ku ofronte shërbime dhe njëkohësisht shpërndante doza narkotikësh.

Nga hetimet rezulton se i riu shiste në doza kokainë, heroinë dhe kanabis.

Gjatë operacionit, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Operacionale, u sekuestruan si prova materiale një sasi kanabisi, 69 doza kokainë (crack) dhe 23 doza heroinë.

Policia bën me dije se arrestimi u bë në flagrancë, ndërsa veprimet hetimore u kryen mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Lini një koment