E premte, 6 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Shpërndanin drogë pranë shkollave në Fier, arrestohen 4 persona, një tjetër në kërkim

Shpërndanin drogë pranë shkollave në Fier, arrestohen 4 persona, një tjetër në kërkim

Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “Clean School”, duke goditur një grup të dyshuar kriminal që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të institucioneve arsimore në qarkun Fier.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar katër persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit të Policisë, të arrestuarit janë K. B., 28 vjeç, D. F., 25 vjeç, M. Zh., 48 vjeç dhe T. Ç., 52 vjeç, të gjithë banues në Fier. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e E. B., 38 vjeç, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e personave të arrestuar, policia sekuestroi 2.9 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, dy peshore elektronike dhe katër aparate celularë.

Operacioni u zhvillua pas një hetimi disa mujor nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Lini një koment