Shpresë e re kundër kancerit, vaksina me mRNA tregon rezultate premtuese te melanoma
Një vaksinë e re kundër kancerit, e bazuar në teknologjinë mRNA, ka treguar rezultate premtuese në parandalimin e rikthimit të melanomës, një nga format më agresive të kancerit të lëkurës.
Sipas BBC, vaksina intis-meran, e zhvilluar nga kompanitë farmaceutike Merck & Co. (MSD) dhe Moderna, u testua te pacientë me melanomë me rrezik të lartë dhe u kombinua me Keytruda, një ilaç imunoterapie që përdoret tashmë në trajtimin e kancerit.
Në krahasim me trajtimin vetëm me Keytruda, kombinimi me vaksinën rriti ndjeshëm kohën gjatë së cilës pacientët mbetën pa shenja të sëmundjes dhe uli rrezikun që kanceri të përhapej në organe të tjera.
Në fazën e tretë të provës klinike morën pjesë më shumë se 1,000 pacientë me melanoma të fazës së dytë, të tretë ose të katërt, të cilët konsideroheshin me rrezik të lartë për rikthimin ose përhapjen e sëmundjes.
Vaksina krijohet në mënyrë të personalizuar për çdo pacient. Shkencëtarët analizojnë një pjesë të tumorit të hequr gjatë ndërhyrjes kirurgjikale dhe sekuencojnë ADN-në e tij për të identifikuar mutacionet specifike. Më pas, teknologjia mRNA përdoret për të udhëzuar sistemin imunitar që të njohë dhe të sulmojë qelizat kancerogjene që mund të kenë mbetur në organizëm.
Megjithëse rezultatet konsiderohen një hap premtues në trajtimin e kancerit, ekspertët bëjnë thirrje për kujdes, pasi të dhënat e plota të studimit ende nuk janë publikuar dhe rishikuar nga ekspertë të pavarur.