Shqipëria drejt BE-së/ Ja si do të llogaritet kontributi financiar që do të paguajë vendi pas anëtarësimit
Shqipëria do të paguajë një kontribut financiar në arkën e BE-së, në momentin që do të jemi vend anëtar i Bashkimit Evropian. Ministria e Financave ka hartuar një projektligj që përcakton kuadrin ligjor dhe mënyrën se si do të llogaritet, planifikohet dhe paguhet kontributi i Shqipërisë në buxhetin e BE-së.
Por pagesa e këtij kontributi nuk nis menjëherë. Detyrimi financiar lind me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Deri atëherë, institucionet shqiptare do të përgatiten për të realizuar këtë proces. Ministria e Financave, Tatimet, Doganat, INSTAT-i do të kenë përgjegjësinë kryesore të mbledhin dhe raportojnë të dhënat e nevojshme.
Në draft nuk përcaktohet ende një shumë konkrete. Kontributi do të llogaritet sipas sistemit të Bashkimit Evropian ku do të përfshihen të ardhurat nga detyrimet doganore të mbledhura për mallrat që hyjnë nga jashtë BE-së, TVSH-ja nga e cila kalohet një përqindje e shumës që vendi grumbullon në territorin e tij , të ardhurat kombëtare bruto, si edhe sasia e mbetjeve të paketimeve plastike që nuk riciklohen, një element ky shumë I rëndësihëm që zbatohet nga Bashkimi Europian për mbrojtjen e mjedisit pasi vepron si një taksë mjedisore e vendosur për të nxitur riciklimin.
Projektligji parashikon që Ministria e Financave të ketë një rol kryesor në koordinimin e punës, ndërsa edhe institucionet e tjera shtetërore do të kenë detyrime për mbledhjen dhe raportimin e të dhënave financiare.
Në thelb, ligji synon të krijojë rregullat dhe strukturat që do t’i nevojiten Shqipërisë për të administruar në mënyrë të rregullt dhe transparente detyrimet financiare si vend anëtar i Bashkimit Evropian.
Vendet si Gjermania apo Franca aktualisht paguajnë shuma më të mëdha në buxhetin e BE pasi ky kontribut pasqyron drejtpërdrejt fuqinë ekonomike të vendit.