Shqiptarët protestojnë të dielën në Londër për çlirimtarët, aktivistja Badivuku: UÇK-ja për neve ka qenë shpresë
Këtë të diel, më 27 shtator, shqiptarët e diasporës në Londër do të dalin në protestë kundër verdiktit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Organizatorët presin pjesëmarrje të madhe të shqiptarëve që jetojnë në kryeqytetin britanik.
Në emisionin “Ora Shtatë” të Klan Kosovës, aktivistja shqiptare në Londër, Adelina Badivuku, tha se vendimi i Speciales u prit me indinjatë, mërzitje dhe mllef nga komuniteti shqiptar. Sipas saj, UÇK-ja ka qenë shpresa e vetme në një kohë të caktuar dhe sot është krenari shumë e madhe e pjesë shumë e rëndësishme e historisë së Kosovës.
Badivuku kujtoi se shqiptarët e Londrës kanë protestuar edhe gjatë viteve ’90, duke kërkuar që bota ta njihte Kosovën: “E mbaj mend shumë mirë që atëherë kur e kemi thirr emrin e UÇK-së, për neve ka qenë shpresë. E tash për neve është edhe krenari”.
Ajo shtoi se në protestën e së dielës pritet të marrin pjesë edhe anglezë, të cilët do t’i bashkohen kërkesave të komunitetit shqiptar.
Burimi: Klan Kosova