“Shtatë ditë janë vetëm fillimi”, Çlirim Haziri paralajmëron vazhdimin e protestës për UÇK-në
Organizatori i protestave në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Çlirim Haziri, ka deklaruar se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke thënë se prania e qytetarëve në shesh për shtatë net me radhë është dëshmi se protesta nuk është shuar.
Në fjalimin e mbajtur në natën e shtatë të protestës, Haziri u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që të vazhdojnë mobilizimin, duke theksuar se qëndrimi i tyre duhet të jetë një përgjigje ndaj, siç e ka cilësuar ai, përpjekjeve për njollosjen e luftës së UÇK-së.
“Pas një jave jemi ende këtu. Nuk jemi lodhur. Nuk jemi larguar. Nuk kemi heshtur”, ka thënë Haziri.
Ai ka përmendur edhe 28-vjetorin e rënies së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, duke thënë se shtatë net protestë janë pak në krahasim me sakrificën e atyre që, sipas tij, dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
“Para sakrificës së Fehmiut dhe Xhevës, qëndrimi ynë shtatë net në këtë shesh është pak. E sidomos sot, 28 vjet më vonë, kur po tentohet të njolloset lufta për të cilën ata dhanë jetën”, ka deklaruar ai.
Haziri ka thënë se protesta nuk është organizuar për një parti politike apo për një paraqitje të vetme publike, por rreth asaj që organizatorët e cilësojnë si mbështetje për UÇK-në.
“Sepse nuk jemi mbledhur për një fotografi. Nuk jemi mbledhur për një parti politike. Jemi mbledhur për një kauzë. Jemi bashkë për UÇK-në”, ka thënë ai.
Në fjalimin e tij, Haziri ka përmendur edhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili, sipas tij, është dorëzuar një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve që t’u përgjigjen kërkesave të protestuesve.
“Një javë kemi pritur. Një javë kemi protestuar. Një javë kemi folur qetë. Dhe askush të mos e marrë qetësinë tonë për dobësi”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, mungesa e një përgjigjeje institucionale do të ndikojë në vazhdimin dhe zgjerimin e protestës.
“Mos prisni që java e dytë të jetë si e para. Nëse mendoni se koha punon kundër këtij sheshi – gaboheni. Nëse mendoni se heshtja do të na lodhë – gaboheni”, ka deklaruar ai.
Haziri u ka bërë thirrje qytetarëve që në ditët në vijim t’u bashkohen protestave, duke kërkuar që pjesëmarrja të rritet.
“Nesër silleni edhe një mik me vete. Silleni një familjar. Thirreni atë që deri sot ka qëndruar në shtëpi. Sepse ky shesh nuk duhet të zvogëlohet. Ky shesh duhet të rritet”, ka thënë ai.
Në fund të fjalimit, Haziri ka përsëritur thirrjen “Jo në emrin tim”, ndërsa protesta është mbyllur me thirrjet për nderimin e dëshmorëve dhe mbështetjen për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Kosova nuk harron. Lavdi dëshmorëve të kombit. Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bashkë për UÇK-në”, ka përfunduar fjalimin e tij. /Telegrafi/