E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Shteti arkëton 225 milionë lekë nga qiratë e pronave të sekuestruara, të ardhurat rriten me 25% në 10 muaj

Shteti arkëton 225 milionë lekë nga qiratë e pronave të sekuestruara, të ardhurat rriten me 25% në 10 muaj

Shteti ka arkëtuar rreth 225 milionë lekë nga dhënia me qira e pronave të sekuestruara dhe të konfiskuara gjatë 10 muajve të parë të vitit 2026, siç njofton Shqiptarja.com. Të ardhurat janë rritur me 25,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave financiare të Agjencisë së Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, kjo shumë është 45,2 milionë lekë më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur të ardhurat arritën në 179,7 milionë lekë. Arkëtimet kanë qenë më të larta se një vit më parë në nëntë nga dhjetë muajt e analizuar.

Rritja më e madhe u regjistrua në maj, kur të ardhurat arritën në 23,7 milionë lekë, nga 14,1 milionë lekë në majin e vitit të kaluar. Edhe gushti shënoi një rritje të ndjeshme, me 29 milionë lekë të arkëtuara, kundrejt 19,1 milionë lekëve një vit më parë.

Të ardhurat nga qiradhënia e këtyre pasurive synojnë të përdoren për mbështetjen e institucioneve ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe për financimin e projekteve që i kthejnë pronat e konfiskuara në shërbim të komunitetit.

Lini një koment