SIRI – Damasku dislokon mijëra ushtarë në Jemen dhe Arabinë Saudite
DAMASK, 7 nëntor /ATSH-AFP/- Siria do të dislokojë mijëra ushtarë në Arabinë Saudite dhe Jemen, ku disa prej tyre ndodhen tashmë, për të mbështetur qeverinë jemenase dhe aleatin e saj saudit në përballjen me rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, bëjnë të ditur zyrtarë jemenas.
Në këtë dislokim të parë të forcave të huaja në këtë front që prej rifillimit të luftimeve në korrik, Damasku do të dërgojë 3 000 ushtarakë për të ndihmuar Arabinë Saudite në luftën kundër Houthive.
Sipas një burimi nga Këshilli Presidencial i Udhëheqjes së Jemenit, marrëveshja u miratua gjatë vizitës së presidentit sirian Ahmed al-Sharaa në Riad këtë javë.
Një burim nga Ministria e Mbrojtjes e Jemenit konfirmoi se faza e parë e planit parashikon dislokimin e 3 000 ushtarakëve sirianë, përfshirë oficerë dhe specialistë, nga një total prej 10 000 personash që pritet të angazhohen në përfundim të operacionit.
Ndërkohë, ekipe teknike të ministrive të Mbrojtjes së Sirisë dhe Arabisë Saudite ndodhen në Riad për të përfunduar detajet e planit.
Sipas burimeve ushtarake, qindra ushtarë sirianë janë tashmë të pranishëm në të dyja anët e kufirit mes Jemenit dhe Arabisë Saudite.
Riadi, mbështetësi kryesor i qeverisë siriane, po përpiqet të mobilizojë aleatët përballë sulmeve pothuajse të përditshme të Houthive ndaj infrastrukturës së naftës dhe aeroporteve saudite.
Sipas burimeve ushtarake, trupat siriane në jug të Arabisë Saudite po trajnojnë forcat qeveritare për përdorimin e dronëve, ndërsa ato të vendosura në anën jemenase drejtojnë operacionet me dronë kundër Houthive.
Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë refuzuar kërkesat saudite për ndihmë, ndërsa Egjipti është zotuar të ofrojë mbështetje ushtarake mbrojtëse.
Franca ka dislokuar personel për të mbrojtur terminalin e naftës në Yanbu, ndërsa Britania e Madhe ka njoftuar dërgimin e avionëve luftarakë për mbrojtjen e territorit saudit.
Lufta në Jemen nisi në vitin 2014, kur rebelët Houthi morën kontrollin e kryeqytetit Sana, duke çuar në ndërhyrjen ushtarake të udhëhequr nga Arabia Saudite në vitin 2015.
Pas armëpushimit të vitit 2022, luftimet rifilluan këtë verë, duke hapur një front të ri në konfliktin e Lindjes së Mesme./ /Ad.Ab./ a.jor.