E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Situata e zjarreve në vend, 3 zona aktive dhe 4 nën mbikëqyrje

Situata e zjarreve në vend, 3 zona aktive dhe 4 nën mbikëqyrje

Ministria e Mbrojtjes ka vijuar informimin e saj mbi situatën e zjarreve në vend duke raportuar se gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e vendit janë raportuar 22 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje.

Mali i Dajtit vazhdon të mbetet një vatër aktive ku vijon puna në terren për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës.

Në Vajkal të Bulqizës ku zjarri vijon të jetë aktiv në terren shkëmbor, erërat kanë favorizuar flakët ku përveç forcave tokësore, është angazhuar edhe një helikopter i Forcave të Armatosura.

Vatra vazhdon të jetë aktive edhe në Sllatinë të Dibrës ku rrezikohet përhapja e zjarrit drejt pyjeve me pisha. Për këtë aarsye, forcat ajrore kanë ndërhyrë edhe në këtë zonë, gjithashtu.

Ndërkohë, 4 vatra të tjera mbahen nën mbikëqyrje në Qafë të Helmës dhe Arrmollë në qarkun Dibër, si dhe në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit në qarkun Elbasan. Situata në këto zona është nën kontroll ose e izoluar dhe, sipas raportimeve, nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar në total 288 forca operacionale dhe 21 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet nga ajri me 2 helikopterë, të angazhuar në 3 operacione.

Lini një koment