SLLOVAKI – Samiti i V4, Von der Leyen merr pjesë për herë të parë në takimin e presidentëve
TRENÇIN, 5 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidentët e katër vendeve të Grupit të Vishegradit (V4) zhvilluan sot në Kështjellën e Trençinit, në Sllovaki, bisedimet kryesore të samitit presidencial, me pjesëmarrjen e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Takimi u organizua me ftesë të presidentit sllovak, Peter Pellegrini, i cili priti homologun çek, Petr Pavel, presidentin polak, Karol Nawrocki, dhe presidentin hungarez, Andras Baka.
Pjesëmarrja e Von der Leyen shënon herën e parë, që një presidente e Komisionit Evropian merr pjesë në një samit presidencial të Grupit të Vishegradit.
Në qendër të diskutimeve janë zgjerimi i Bashkimit Evropian, situata në Ukrainë, mbështetja për popullsinë e saj përballë agresionit rus, mbrojtja e civilëve dhe infrastrukturës kritike, si dhe përpjekjet diplomatike për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Një tjetër çështje e rëndësishme është rindërtimi i Ukrainës pas përfundimit të luftës dhe perspektiva e saj evropiane.
Presidentët do të diskutojnë gjithashtu, sigurinë dhe përballueshmërinë e furnizimit me energji, konkurrueshmërinë e industrisë dhe të ardhmen e sigurt të rajonit të Evropës Qendrore.
Samiti synon të forcojë bashkëpunimin mes katër vendeve dhe të rrisë ndikimin e tyre në përcaktimin e prioriteteve në nivel evropian.
Pjesëmarrja e presidentes së Komisionit Evropian, krijon mundësinë që këto çështje të diskutohen edhe në një kuadër më të gjerë të Bashkimit Evropian.
Takimi zhvillohet në kuadër të presidencës sllovake të Grupit të Vishegradit, e cila nisi më 1 korrik, me moton “Së bashku për një Evropë më të fortë”.
Sllovakia synon të riforcojë bashkëpunimin mes vendeve anëtare dhe të forcojë pozicionin e rajonit në Evropë.
Samiti dyditor nisi më 4 nëntor, me takimin e presidentëve të katër vendeve me guvernatorët e bankave qendrore, të cilët paraqitën përfundimet dhe rekomandimet për të ardhmen ekonomike të rajonit.
Gjatë diskutimeve të para u vu në dukje ngadalësimi i ritmit të afrimit ekonomik të vendeve të V4 me mesataren e Bashkimit Evropian.
Ndër sfidat kryesore u identifikuan plakja e popullsisë, mungesa e të rinjve në tregun e punës dhe ndryshimet teknologjike, përfshirë zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Presidenti sllovak, Peter Pellegrini theksoi rëndësinë e krijimit të kushteve, që të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe t’i përdorin ato në vendet e tyre.
Sipas tij, rritja e produktivitetit, përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe përshtatja me nevojat e reja të tregut të punës, janë thelbësore për konkurrueshmërinë e rajonit.
Në përfundim të samitit, krerët e shteteve pritet të vizitojnë urën Fiesta në Trençin, një projekt i realizuar me mbështetjen e fondeve të Bashkimit Evropian, që shërben si shembull i bashkëpunimit evropian në rajon.
Grupi i Vishegradit, i njohur si V4, përbëhet nga Sllovakia, Republika Çeke, Polonia dhe Hungaria.
Ai u krijua në vitin 1991 për të nxitur bashkëpunimin mes vendeve të Evropës Qendrore. /