Spaho: Berisha më premtoi se do të isha deputet, por më nxori në listë të hapur
Ish-deputeti dhe ish-nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, i ftuar në emisionin “Të paekspozuarit” në MCN TV tregoi me detaje mënyrën se si e larguan nga PD-ja, pas 35 viteve kontribut në parti.
Ai bëri përgjegjës direktë Sali Berishën dhe Flamur Nokën, për të cilin tha se vepronte me arrogancë, sidomos kur Berisha ishte në “arrest shtëpie”.
“Tani jam i paangazhuar, jam në pension, merrem me familjen, mbush kohën me angazhimin politik, por duke u përpjekur që të ruaj, mosmolepsjen nga veprimet partiake.
Në shtator 2021 Berisha iu kundërvu qëndrimeve të Bashës që nuk mori përsipër humbjen e zgjedhjeve të 2021 dhe e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar.
Kryetari zyrtar i PD-së ishte Basha dhe ai mbante përgjegjësinë. Rithemelimi premtoi shumë gjëra që të mos ishte e pamundur që të mos ishe dakord.
Unë kam qenë kritik ndaj Bashës për reformën territoriale. Qëndrimet në atë kohë, pavarësisht se me Berishën kontaktet në 2013-2021 i kisha si të gjithë, kam qenë kundër djegies së mandateve dhe ia thashë Bashës, Kryemadhit, Mediut.
Sot jam i bindur se ka patur dorë edhe zoti Berisha në djegien e mandateve dhe që Basha merrte mendimin e Berishës, që ka qenë kryetar në hije.
Më largoi Berisha nga partia, dhe nuk erdhi brenda ditës. Ne premtuam demokratizimin e PD-së, nenin për të dhënë dorëheqjen kryetari, premtuam primaret, mbi bazën e kontributeve. Pas 35 viteve kërkova këto. Në 2008 po të hapësh letrat kundërshtova zgjedhjen e presidentit sipas paketës që u bë. Thashë se me kompetencat që i keni dhënë kryeministrit, duhet të zgjidhni presidentin nga populli, por ma hodhi poshtë Berisha.
Unë kam patur rezerva për mënyrën se si u bashkuan dy gjysmat e PD-së dhe i thashë që më e udhës ishte të krijonim një grup të ri parlamentar, sepse ne dolëm të parët. I thashë që ndoshta krijojmë një parti të re, dhe i thashë që mund të humbnim 10 për qind, por nga viti 2021 kur humbëm me 30 mijë, pas 4 vitesh humbëm me 300 mijë.
Unë kam gëlltitur shumë gjëra. Unë jam përjashtuar 50 ditë nga Kuvendi. Unë nuk jam bërë pishman për këto.
Unë u përplasa ashpër me Nokën, sepse vepronte me arrogancë, me prepotencë, sidomos kur Doktori ishte në “arrest shtëpiak”.
Tani unë isha drejtues i qarkut Korçë dhe nuk më pyeste fare. Për të gjitha këto i kam shkruar Berishës dhe ai ia çonte Flamurit.
Doktori më tha nuk të kemi hequr, pasi më shkarkuan nga drejtimin i qarkut Korçë, Flamuri të nesërmen, më tha që meqë Ivi vjen nga një qytet afër Korçës menduam për atë.
Berisha më tha që të garantoj se do të jesh deputet dhe unë vazhdova me atë ritëm pune. Në primare dola i dyti në grupin parlamentar. Na vunë detyrë që po nuk gjetëm 300 emigrantë, nuk do të kandidoheshim. Unë gjeta 400.
Detyra jonë ishte të identifikonim votues të djathtë dhe ata të regjistroheshin. Dhe dola në listë të hapur. E takova prapë Doktorin dhe kam qenë 1 vit rresht që ndenja te “Rruga e Shpresës”. Më tha se mund të kesh të drejtë, por kështu vendosëm. Noka dhe Kaso u thanë strukturave që mos më votonin”- tha Spaho.