Wednesday, 5 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaSTAMBOLL – Turqia: Sulmet në Detin e Zi kërcënojnë sigurinë ushqimore

STAMBOLL – Turqia: Sulmet në Detin e Zi kërcënojnë sigurinë ushqimore

STAMBOLL, 4 gusht /ATSH-DPA/- Turqia paralajmëroi sot se përshkallëzimi i situatës në Detin e Zi, mund të sjellë pasoja të gjera, përfshirë ndikimin në sigurinë ushqimore, pas sulmeve me dronë ndaj dy anijeve tregtare të lidhura me Turqinë.

“Pa ndërmarrjen e masave parandaluese, përshkallëzimi në Detin e Zi, do të ketë pasoja negative në shumë fusha, përfshirë sigurinë ushqimore”, deklaroi Ministria e Jashtme turke.

Disa anëtarë të ekuipazhit u plagosën dje në mbrëmje, pasi anija tregtare “Nadezhda”, me flamurin e Kamerunit dhe e operuar nga një kompani turke, u godit nga një dron rreth 37 kilometra larg portit rus të Novorossiysk. Anija ishte nisur drejt portit turk të Samsunit.

Ministria e Jashtme turke u bëri thirrje Rusisë dhe Ukrainës të zbatojnë urgjentisht masa konkrete, për garantimin e sigurisë së lundrimit, duke shtuar se Ankaraja është thellësisht e shqetësuar, se lufta mund të përhapet më tej në Detin e Zi.

Ministria njoftoi gjithashtu se një tjetër anije e lidhur me Turqinë, “Yasar”, ishte sulmuar po atë mbrëmje, pa dhënë detaje të tjera.

Sulmet ndodhin në një kohë kur intensifikimi i goditjeve ruse dhe ukrainase në Detin e Zi, ka rritur shqetësimet për sigurinë në një nga rrugët detare më të rëndësishme të rajonit.

Ndërkohë, vendet anëtare të NATO-s, Rumania, Bullgaria dhe Turqia, kanë zgjeruar misionin e përbashkët për mbrojtjen e transportit tregtar dhe pastrimin e minave lundruese në Detin e Zi. /

Lini një koment