Strehim social për 7 mijë familje shqiptare! Miratohet në Komision projektligji për kreditë e buta, përfshihen edhe të pr
Projektligji për strehimin social, që synon të mbështesë rreth 7 mijë familje përmes sigurimit të banesave me kredi me interesa të ulëta, ka marrë miratimin në Komisionin për Burimet Natyrore.
Përveç kategorive të parashikuara në projektligj, deputetët e mazhorancës propozuan zgjerimin e familjeve përfituese, duke përfshirë edhe ato të prekura nga fatkeqësitë natyrore.
“Do të kisha dashur që kolegë të opozitës të ishin prezentë dhe ta votonin këtë ligj. Unë vij me një propozim për familjet që u prekën nga tërmeti dhe ne që nuk i kemi përmbyllur dhe, në këtë këndvështrim, ky propozim i jep një mundësi që fondet që bashkitë nuk i kanë përdorur t’i viheshin në dispozicion këtij procesi”, tha Taulant Balla-deputet i PS.
Ndryshimet në projektligjin për strehimin social vijnë si një ndërhyrje në skemën ekzistuese, për të cilën edhe vetë përfaqësues të mazhorancës pranojnë se nuk ka dhënë efektet e pritshme. Ndërsa një pjesë e deputetëve të opozitës bojkotuan mbledhjen, të tjerë zgjodhën të merrnin pjesë, duke e lidhur diskutimin për strehimin me vështirësitë e qytetarëve dhe veçanërisht të të rinjve për të përballuar kostot e jetesës në Shqipëri.
“Ky projektligj vjen si një paradoks i madh në tregun tonë. Në vendet e tjera ka mungesë fondi imobiliar, por tek ne çmimet janë të larta si për qira, ashtu edhe për blerje. Ne praktikisht i japim përgjigje të fortë: shteti bëhet aktor në ndërtimin e fondit të banesave. Masa e përdorur ndër vite, ku ndërtuesit paguanin 3%, nuk ka qenë e suksesshme. Kemi konstatuar ndër vite problematika”, u shpreh Pirro Vengu-deputet i PS.
“Për faktin që kjo çështje lidhet me protestuesit, studentët, për të sjellë zërin e tyre që thonë se është bërë e pamundur të jetosh në Shqipëri, nuk bojkotova dhe u bashkova.”
“Sa i përket çështjes së strehimit: një nga problemet më të mëdha që ka Shqipëria sot. Që prej ardhjes suaj në pushtet, kemi parë raportin e rritjes së pagave me çmimet e apartamenteve: është 1 me 3. Nëse pagat janë rritur 1 herë, apartamentet 3 herë. Ndërtimi në flluskë ekonomike që shumë shpejt do të pëlcasë dhe furnizohet nga informaliteti”, deklaroi Redi Muçi-deputet i Lëvizjes Bashkë.
Pas shqyrtimit në Komisionin për Burimet Natyrore, projektligji për strehimin social pritet të kalojë edhe në komisionet e tjera parlamentare, përpara se të marrë votimin përfundimtar në seancë plenare.