E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaShendetiStresi, jo thjesht lodhje: Si reagon trupi ynë dhe kur bëhet i rrezikshëm?

Stresi, jo thjesht lodhje: Si reagon trupi ynë dhe kur bëhet i rrezikshëm?

Stresi shpesh lind nga një seri situatash të vogla të përditshme që, të marra së bashku, krijojnë një ndjenjë urgjence dhe mbingarkese. Ritmi i shpejtë i ditës, detyrimet familjare dhe informacioni i vazhdueshëm nga mjedisi digjital e bëjnë këtë gjendje gjithnjë e më të zakonshme. Sipas një artikulli të The Guardian, në pamje të parë, duket si një reagim normal ndaj presionit të momentit, por në thelb aktivizon mekanizma të thellë biologjikë që ndikojnë në gjithë organizmin.

Kur kjo gjendje përsëritet shpesh ose zgjat në kohë, ajo nuk mbetet më thjesht një ndjesi kalimtare, por kthehet në një faktor që mund të ndikojë ndjeshëm në shëndetin fizik dhe mendor. Në këtë pikë, bëhet e rëndësishme të kuptohet se çfarë ndodh realisht në trup dhe pse stresi nuk duhet parë vetëm si pjesë e zakonshme e jetës së përditshme.

Sipas profesoreshës Kavita Vedhara nga Universiteti i Cardiff-it, në Mbretërinë e Bashkuar, efekti i menjëhershëm i stresit është rritja e adrenalinës, që sjell rritje të rrahjeve të zemrës, tensionit të gjakut dhe frymëmarrjes. Kjo është “reagimi lufto ose ik”, i cili përgatit trupin për përballje me rrezikun.

Rreth 30 minuta më vonë, rritet edhe kortizoli, i njohur si hormoni i stresit. Ai ndihmon në rregullimin e tensionit të gjakut, ul inflamacionin dhe rrit energjinë duke çliruar sheqernat në gjak.

Ky mekanizëm ishte shumë i dobishëm në të kaluarën, kur rreziqet ishin fizike dhe të menjëhershme. Por sot, shumica e stresit vjen nga situata psikologjike, mesazhe në internet, debate apo shqetësime të vazhdueshme mendore. Problemi është se kur trupi qëndron gjatë në këtë gjendje, ai “merr energji” nga funksione të tjera si tretja, riparimi i trupit dhe sistemi imunitar.

Stresi kronik lidhet me rënie të imunitetit, rritje të rrezikut për infeksione, shërim më të ngadalshëm të plagëve, si dhe rritje të rrezikut për obezitet, depresion dhe sëmundje neurodegjenerative si Alzheimeri.

Një problem tjetër është krijimi i një “rrethi vicioz” psikologjik. Kur trupi është i stresuar, njerëzit fillojnë të vënë re më shumë, çdo ndryshim të vogël fizik, si rrahjet e shpejta të zemrës dhe kjo rrit edhe më shumë ankthin. Në këtë gjendje, truri funksionon më shumë në mënyrë instinktive dhe vendimet bëhen më të vështira dhe shpesh të gabuara.

Sipas ekspertëve, sistemi i stresit është i “elasticitetit të lartë” i krijuar për t’u aktivizuar dhe për t’u rikthyer në normalitet. Por problemi lind kur stresi bëhet i vazhdueshëm dhe afatgjatë. Studime kanë treguar se personat e stresuar kanë më shumë gjasa të sëmuren, për shembull nga viroza të zakonshme si ftohja.

Një faktor tjetër është edhe aftësia individuale për ta përballuar stresin. Disa njerëz e përballojnë më mirë për shkak të përvojave të jetës dhe reziliencës së zhvilluar, ndërsa të tjerë janë më të ndjeshëm, sidomos ata që kanë kaluar trauma.

Një nga mënyrat më efektive për menaxhimin e stresit është frymëmarrja e kontrolluar dhe e ngadaltë. Kur jemi të stresuar, ne marrim frymë shpejt dhe cekët, duke e përforcuar gjendjen e alarmit në trup. Frymëmarrja e ngadaltë i dërgon trurit sinjalin se gjithçka është në rregull dhe aktivizon sistemin e qetësimit. Po ashtu, edhe aktiviteti fizik ndihmon në uljen e adrenalinës së tepërt.

Megjithatë, këto metoda ndihmojnë më shumë në situata të përkohshme. Në rastet e stresit kronik, nevojiten qasje më të thelluara si terapia njohëse-biheviorale (CBT), e cila ndihmon njerëzit të sfidojnë mendimet negative dhe të vlerësojnë realisht situatat.

Një tjetër qasje është ndërgjegjësimi i plotë, i cili nuk synon të luftojë mendimet, por ndihmon individin t’i vëzhgojë ato pa u përfshirë emocionalisht.

Ekspertët theksojnë se stresi nuk mund të shmanget plotësisht, por mund të menaxhohet. Ndryshime të vogla si kufizimi i rrjeteve sociale në mëngjes, apo ndryshime më të mëdha si ndryshimi i punës, mund të kenë ndikim të rëndësishëm.

Lini një koment