Wednesday, 26 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaStudimi: Adoleshentët kinezë po përdorin droga që mpijnë mendjen për t’iu larguar realitetit

Studimi: Adoleshentët kinezë po përdorin droga që mpijnë mendjen për t’iu larguar realitetit

Një numër në rritje adoleshentësh në Kinë po përdorin në mënyrë të rrezikshme ilaçe me recetë, duke kërkuar një mënyrë për t’i shpëtuar presionit të shkollës, provimeve dhe problemeve familjare.

BBC ka dokumentuar historinë e një studenteje 14-vjeçare me rezultate të larta, e cila nisi të merrte doza të mëdha ilaçesh kundër kollës pasi u ndikua nga një djalë më i madh. Ajo i siguronte medikamentet përmes internetit, edhe pse disa prej tyre kërkonin recetë mjekësore.

Fillimisht, vajza përjetoi marramendje dhe ndjesi mpirjeje, të cilat i perceptonte si një mënyrë për t’u shkëputur përkohësisht nga presioni i provimeve. Me kalimin e kohës, ajo nisi të përdorte edhe medikamente të tjera të rekomanduara në grupe online, përfshirë barna për dhimbje dhe epilepsi.

Për rreth dy vjet, 14-vjeçarja konsumoi sasi të mëdha të medikamenteve të ndryshme pa pasur receta mjekësore. “Po ikja nga realiteti”, tha ajo sipas BBC-së, duke shpjeguar se i përdorte barnat kur ndihej nën presion nga studimet, rezultatet në provime apo konfliktet me prindërit.

Studimet tregojne histori të ngjashme nga dhjetëra adoleshentë kinezë në platforma të ndryshme online. Në këto grupe, të rinjtë shkëmbejnë përvoja dhe këshilla për përdorimin e barnave, ndërsa disa përdorin emra të koduar për të shmangur zbulimin.

Një studim i vitit 2025 për Institutin e Parandalimit të Krimit në Ministrinë e Drejtësisë së Kinës paralajmëron se substancat e parregulluara mund të sigurohen lehtësisht online. Edhe kur autoritetet vendosin kufizime mbi një ilaç, përdoruesit e rinj shpesh kërkojnë alternativa.

Fenomeni lidhet me një shqetësim më të gjerë ndërkombëtar mbi përdorimin e barnave me recetë nga të rinjtë për të përballuar stresin dhe ankthin. Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi pa mbikëqyrje mjekësore mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin.

Lini një koment