SUDANI I JUGUT – Presidenti shpërndan qeverinë përpara zgjedhjeve të dhjetorit
JUBA, 23 shtator /ATSH-DPA/- Presidenti i Sudanit të Jugut, Salva Kiir Mayardit ka njoftuar shpërndarjen e qeverisë së përkohshme, vetëm tre muaj para zgjedhjeve të planifikuara më 22 dhjetor.
Vendimi do të hyjë në fuqi në mesnatë. Para njoftimit, Kiir miratoi një ligj të ri që i lejon të qëndrojë në detyrë me kompetenca të gjera deri në zhvillimin e zgjedhjeve.
Presidenti tha se do të krijojë një “qeveri kujdestare” që do të drejtojë vendin deri në ditën e zgjedhjeve.
Ligji i ri i jep gjithashtu mundësi të ndryshojë disa rregulla, që lidhen me zgjedhjet në nivel shtetëror dhe administrativ.
Vëzhguesit e kanë interpretuar këtë zhvillim si një lëvizje politike, që mund t’i japë Kiirit kontroll më të madh mbi pushtetin.
“Amnesty International” ka paralajmëruar për masa kufizuese ndaj shoqërisë civile në prag të zgjedhjeve.
Edhe Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim se përkeqësimi i krizës politike, mund ta çojë vendin sërish drejt luftës civile.
Sudani i Jugut është drejtuar nga një qeveri e përkohshme që prej shkurtit 2020, me Kiirin president dhe Riek Macharin zëvendëspresident.
Qeveria u krijua pas një marrëveshjeje paqeje, që i dha fund zyrtarisht luftës civile, e cila kishte nisur në vitin 2013.
Situata politike është përkeqësuar që nga marsi 2025.
Machar u vendos në arrest shtëpie dhe më pas u akuzua për vrasje, tradhti dhe krime kundër njerëzimit.
Ai i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht.
Edhe disa figura të tjera të larta të partisë së tij janë arrestuar muajt e fundit.
Sudani i Jugut u shkëput nga Sudani në vitin 2011 dhe, që prej atëherë, nuk ka zhvilluar zgjedhje.
Zgjedhjet e planifikuara për vitet 2022 dhe 2024 u shtynë. /