Sulm ajror kundër bandës famëkeqe në Haiti, helikopterët e El Salvadorit godasin me raketa selinë kriminale
Një operacion ushtarak kundër një prej bandave më të fuqishme kriminale në Haiti ka përfunduar me shkatërrimin e bazës së saj në Croix-des-Bouquets, në lindje të kryeqytetit Port-au-Prince. Helikopterë ushtarakë të El Salvadorit kanë qëlluar me raketa ndaj një ndërtese që përdorej si seli nga banda famëkeqe “400 Mawozo”. Nga sulmi raportohet për të paktën 20 viktima, por ky bilanc nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Pamjet e publikuara nga presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, tregojnë disa helikopterë që fluturojnë mbi ndërtesë dhe lëshojnë raketa, ndërsa persona të pranishëm në zonë largohen me vrap. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me policinë haitiane, ndërsa objektivi ishte rezidenca dhe qendra e operacioneve të Wilson Joseph, i njohur me nofkën “Lanmo San Jou”, drejtuesi i bandës. Ai nuk ndodhej në ndërtesë në momentin e sulmit.