E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Tabaku ngre alarmin për pastrimin e parave: Euro më e lirë, shtëpi më të shtrenjta!

Tabaku ngre alarmin për pastrimin e parave: Euro më e lirë, shtëpi më të shtrenjta!

Pastrimi i parave dhe hyrja e kapitalit me burim kriminal në ekonominë shqiptare po ndikojnë në konkurrencën mes bizneseve dhe tregun e pasurive të paluajtshme. Në “Këndin e Fundjavës”, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku lidh pastrimin e parave me vështirësitë e biznesit, zhvlerësimin e euros dhe pamundësinë e të rinjve për të blerë një banesë.

“Pas shqetësimit të ngritur në komisionet për buxhetin e paketën fiskale, për kostot, pasigurinë e taksat e larta, qëndron një sipërmarrje, biznes e një familje. Në anën tjetër është pastrimi i parave, kapitali që buron nga krimi e korrupsioni dhe merr pamjen e një investimi të ligjshëm. Biznesi që paguan taksat konkurron me kapitalin që kërkon të pastrohet”, shprehet ajo.

Sipas Tabakut pastrimi i parave të pista ka ndikuar edhe në pamundësinë e të rinjve për të blerë një banesë, pavarësisht zhvlerësimit të euros.

“Një sipërmarrës i ligjshëm duhet të paguajë kredinë, interesat dhe punonjësit, ndërsa kapitali që synon pastrimin e parave mund të pranojë edhe humbje për të siguruar një pasuri që duket e ligjshme. Kjo pabarazi prek çmimin e tokës, qiratë, apartamentet dhe kushtet në të cilat operojnë bizneset. Për familjen, apartamenti është shtëpia ku do të jetojë. Për kapitalin kriminal, ai mund të jetë mjeti, por është edhe rruga ku fshihet pasuria kriminale”, deklaron deputetja.

Lini një koment