Tuesday, 29 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Tahiri: Nëse vendi shkon sërish në zgjedhje, përgjegjës është Albin Kurti

Tahiri: Nëse vendi shkon sërish në zgjedhje, përgjegjës është Albin Kurti

Kryeministrit Albin Kurti i takon përgjegjësia kryesore për zgjedhjen e presidentit, deklaroi sot shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, në konferencën për media të mbajtur të martën, siç njofton KosovaPress.

Sipas Tahirit, nëse deri më 6 tetor Kuvendi nuk ia heq shtetit një kryetar të ri, vendi do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, të cilat sipas tij do të mbahen më së largu më 15 nëntor.

“Çështja e presidentit është çështje e konsensusit dhe vullnetit politik. PDK-ja prej ditës së parë ka qenë e angazhuar që t’iu shmanget zgjedhjeve. Nuk ka qytetar të Kosovës që i dëshiron zgjedhjet. Nuk duhet të bëhen manovra politike, drama e situata që të prodhohen zgjedhje pas zgjedhjeve. Po dëmtohet shteti dhe po lodhen qytetarët,” tha Tahiri, sipas raportimit të KosovaPress.

Tahiri theksoi se për PDK-në tema më e rëndësishme në këtë periudhë mbetet miratimi i ndryshimeve ligjore për Gjykatën Speciale, pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së më 16 shtator në Dhomat e Specializuara.

I pyetur nëse do të ketë takime të reja mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës, dhe kryeministrit Albin Kurti, Tahiri tha se Hamza po kërkon mbështetjen e partive për ligjin dhe se do ta vazhdojnë këtë agjendë pa u ndalur asnjë ditë.

Lini një koment