“Tano Fest” sjell tetë net humor në teatrin “Migjeni” të Shkodrës
Shkodra do të kthehet në kryeqytetin e humorit shqiptar nga 14 deri më 21 nëntor, me organizimin e Festivalit Mbarëkombëtar të Humorit “Tano Fest”, që do të zhvillohet në skenën e Teatrit “Migjeni”.
Festivali i kushtohet aktorit të madh të humorit shqiptar, Tano Banushit, në prag të 100-vjetorit të lindjes së tij. Përgjatë tetë netëve, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë tetë shfaqje të ndryshme, me pjesëmarrjen e artistëve dhe trupave humoristike.
Teatri “Migjeni” ka prezantuar kalendarin artistik të këtij festivali i cili nis me shfaqjen “10 vjet martesë” dhe vijon më 15 nëntor me “Romeo dhe Xhulieta”, më 16 nëntor me “Dasma”, më 17 nëntor me “Gomerët e Trojeve”, më 18 nëntor me “Papritur i papandehur”, më 19 nëntor me “Hollyshit” dhe më 20 nëntor me “Si ne të dy”.
Festivali do të kulmojë më 21 nëntor me “Natën e Yjeve”, duke e kthyer këtë veprimtari në një festë të artit dhe humorit shqiptar.
“Tano Fest” vjen këtë vit me përmasa më të mëdha, duke synuar të sjellë në Shkodër artistë, publik dhe dashamirës të humorit nga e gjithë hapësira mbarëkombëtare, në nderim të një prej figurave më të dashura të humorit shqiptar.