Të paktën 24 të vdekur në Nigeri pasi përmbyset një varkë që transportonte njerëz në një funeral
Të paktën 24 persona kanë vdekur në Nigerinë jugore pasi një varkë që transportonte njerëz në një funeral u përmbys, sipas AP, njoftoi policia të premten.
Varka po i çonte pasagjerët nga një komunitet në tjetrin për një ceremoni varrimi kur u fundos të premten në shtetin Bayelsa. Kërkimi dhe shpëtimi vazhdonin, ndërsa numri i personave të zhdukur nuk ishte përcaktuar.
Zëdhënësi i policisë, Musa Mohammed, tha se 24 persona të tjerë u shpëtuan dhe kërkuan ndihmë mjekësore. Autoritetet nuk thanë se sa pasagjerë besohet se ndodheshin në bord.
Sipas raporteve paraprake, varka pësoi një defekt mekanik. Pasagjerët i kërkuan operatorit ta drejtonte varkën drejt tokës, por ai dyshohet se nuk pranoi.
Qeveria e shtetit Bayelsa u bëri thirrje operatorëve të varkave dhe pasagjerëve t’u përmbahen rregullave të sigurisë. Mbingarkesa, shpejtësia, pakujdesia dhe udhëtimi pa jelekë shpëtimi duhet të ndalen, thuhet në deklaratë, duke shtuar se asnjë udhëtim nuk vlen të rrezikosh jetën.
Tragjeditë me varka janë të zakonshme në Nigeri, ku mungesa e zbatimit të rregullave të sigurisë bën që varkat me defekte të vazhdojnë të operojnë.