Të shtëna me armë drejt katër personave në Strellc të Deçanit, tre të arrestuar
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Strellc i Epërm të Deçanit, ku, siç njofton DTV Media, është shtënë në drejtim të katër personave. Ngjarja ka ndodhur sot, më 22 tetor, rreth orës 05:00.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Sheremet Elezaj, ka bërë të ditur se, pas pranimit të njoftimit, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Deri më tani janë arrestuar tre persona të dyshuar, meshkuj madhorë, si dhe është sekuestruar një armë zjarri, pistoletë, për të cilën dyshohet se është përdorur në rast.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja fisheku. Sipas policisë, si pasojë e të shtënave nuk është raportuar për persona të lënduar.
Në konsultim me prokurorin kompetent, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”, ndërsa, siç raporton Sinjali, veprimet hetimore po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.