TEHERAN – Irani sekuestron pasuritë e qindra personave që i quan “armiq të shtetit”
TEHERAN, 22 shtator /ATSH-DPA/- Në kuadër të fushatës kundër kritikëve të qeverisë, drejtësia iraniane ka sekuestruar mijëra llogari bankare dhe dhjetëra automjete që u përkasin rreth 400 personave.
Lajmi u raportua të martën nga agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim”, duke cituar Prokurorinë e Teheranit.
Sipas raportit, janë sekuestruar gjithsej 2 191 llogari bankare dhe 39 automjete. Autoritetet iraniane i kanë cilësuar pronarët e tyre si “armiq të shtetit”.
Drejtësia iraniane pretendon se personat e prekur, kanë bashkëpunuar me armikun dhe me forca që kundërshtojnë regjimin.
Nuk është bërë e ditur se gjatë cilës periudhë janë kryer këto sekuestrime.
Sipas raportimeve të mëparshme, kundërshtarëve të qeverisë u janë marrë edhe 143 prona të paluajtshme, si banesa apo ambiente të tjera.
Autoritetet nuk kanë publikuar informacion të detajuar për identitetin e personave të prekur.
Megjithatë, “Tasnim” raportoi se mes tyre janë edhe punonjës të medieve që punojnë për media iraniane me seli jashtë vendit.
Sipas raportit, janë sekuestruar gjithashtu pasuri që u përkasin “aktivistëve dhe personave që punojnë për media armiqësore”, si dhe disa personave që autoritetet i konsiderojnë “tradhtarë” dhe që ndodhen jashtë Iranit.
Vetëm javën e kaluar, mediet iraniane raportuan krijimin e një portali online, ku mund të denoncohen persona që dyshohet se kritikojnë Iranin nga jashtë vendit.
Sistemi i mbikëqyrjes, i quajtur “Alaj” (Shërim), synon të identifikojë personat që autoritetet i konsiderojnë “tradhtarë”.
Lufta në të cilën është përfshirë Irani, ka rritur mosbesimin brenda shoqërisë iraniane, megjithëse ende nuk dihet se sa gjerësisht do të përdoret ky portal. /