Tirana pret Samitin Europian për Investimet, analisti: Një mundësi e artë për Shqipërinë, ta shfrytëzojmë!
Tirana do të mirëpresë në fund të këtij muaji një Samit të rëndësishëm të Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, me fokus investimet dhe bashkëpunimin ekonomik mes rajonit dhe BE-së.
Në këtë takim pritet të marrin pjesë përfaqësues të nivelit të lartë të qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare, investitorë dhe drejtues të bizneseve. Organizimi i këtij forumi në Shqipëri shihet si një mundësi e rëndësishme për promovimin e potencialit ekonomik të vendit, tërheqjen e investimeve europiane dhe forcimin e integrimit ekonomik të rajonit me tregun e Bashkimit Europian.
I ftuar në emisionin “Tirana Live”, analisti Roland Lami e cilësoi rikthimin e këtij samiti në Tiranë si një mundësi të artë që Bashkimi Europian po i ofron Shqipërisë. Sipas tij, ky takim duhet të shërbejë si një hapësirë e re bashkëpunimi dhe një mundësi konkrete që vendi duhet ta shfrytëzojë maksimalisht.
“Rikthimi i Samitit është strategjia që tregon se ka vazhdimësi. Kjo sjell një mundësi dhe hapësirë të re ku përfshihet edhe Shqipëria. Pse Shqipëria? Unë mendoj se nuk është rastësi. Duhet ta shfrytëzojmë dhe ta kthejmë maksimalisht si një mundësi për të përfituar. Shqipëria ka një orientim të qartë drejt Bashkimit Europian”, u shpreh Lami.
Në këtë kontekst, Lami u shpreh se samiti në Tiranë shihet si një mundësi për të forcuar pozicionin e Shqipërisë në raport me partnerët europianë, por edhe si një test për aftësinë e vendit për të krijuar një klimë të favorshme për investimet e huaja dhe për të kthyer interesin ndërkombëtar në përfitime konkrete për ekonominë shqiptare.
“Dëshirat dhe aspiratat tona për të qenë pjesë e familjes europiane janë një gjë, dhe përmbushja e kritereve që kërkohen për investimet e huaja, është një gjë krejt tjetër. Kjo është një mundësi e artë që i ofrohet Shqipërisë nga Bashkimi Europian. BE ka qasje të interesuar për vendet kandidate dhe aspirante për të qenë pjesë e saj, një qasje, të cilën nuk e kemi parë para vitit 2022, para se të niste konflikti në Ukrainë”, theksoi Lami.