Tragjedi në Itali, humb jetën në aksident 31-vjeçarja shqiptare, plagosen tre fëmijët e saj
Një aksident tragjik i ka marrë jetën një 31-vjeçareje shqiptare në Itali. Siç njofton BalkanWeb, duke iu referuar mediave italiane, gruaja, nënë e tre fëmijëve dhe banore në zonën e Lodit, humbi jetën mëngjesin e së shtunës në Borgo San Giovanni, në provincën e Lodit.
Ajo po drejtonte një Volkswagen Golf në rrugën provinciale SP 234, pranë kryqëzimit me SP 16, kur humbi kontrollin e mjetit. Makina doli nga rruga dhe përfundoi e përmbysur në një kanal anësor.
Pavarësisht mbërritjes së shpejtë të ambulancave, zjarrfikësve dhe personelit mjekësor, 31-vjeçarja ndërroi jetë në vendngjarje. Tre fëmijët e saj, të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç, që ndodheshin në makinë me të, mbetën të plagosur dhe u dërguan në spital; sipas njoftimit, ata janë jashtë rrezikut për jetën.
Shkaku i aksidentit është ende nën hetim nga karabinierët italianë. Hipotezat e para flasin për shpejtësi të lartë ose një problem të papritur shëndetësor të drejtueses. Dyshohet se ajo po kthehej nga pazari, pasi në makinë u gjetën qese me ushqime.
Lajmi ka tronditur komunitetin shqiptar në zonën e Lodit, ndërsa autoritetet italiane vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.