Transportonte 3.5 kg kokainë dhe heroinë të fshehura në baterinë e makinës, 18 muaj burg dhe 805 mijë euro gjobë për 18-vjeçarin shqiptar në Francë
Endri Katalina, 18-vjeçar shqiptar, u dënua nga drejtësia franceze me 18 muaj burg, gjobë 805,690 euro dhe 10 vjet ndalim hyrjeje në Francë, për transportimin e mbi 3.5 kg kokainë dhe heroinë të fshehura në baterinë e modifikuar të një automjeti Mercedes, siç njofton Shqiptarja.com. Gjykata urdhëroi edhe konfiskimin e automjetit.
Ngjarja ndodhi më 29 qershor, kur një patrullë doganore franceze ndaloi automjetin për kontroll. Për shkak të shiut, drejtuesit iu kërkua ta zhvendoste makinën në një vend të mbuluar, por ajo nuk ndizej pa një pajisje të posaçme baterie. Ky detaj çoi në një kontroll më të hollësishëm, gjatë të cilit brenda baterisë së modifikuar u gjetën 2.36 kg kokainë dhe 1.23 kg heroinë.
Sipas dëshmisë së tij në gjyq, Katalina kishte fluturuar nga Tirana në Bruksel, ku iu dorëzua automjeti. Për shërbimin, tha se kishte pranuar një pagesë prej 400–500 euro nga një person thuajse i panjohur.
Sipas medias franceze Le Progrès, ai nuk fliste frëngjisht dhe nuk kishte precedentë penalë. Në Shqipëri kishte punuar si kamerier dhe ndiqte një formim profesional. Ai tha se e kishte pranuar ofertën për të siguruar të ardhura dhe për të ndihmuar familjen, se ishte mashtruar dhe kishte nënshkruar dokumente pa i lexuar. Ai kishte edhe borxhe prej 500–600 euro në Shqipëri.
Në proces, ai refuzoi të jepte kodin e iPhone-it të tij. Avokati i tij kundërshtoi procedurën e kontrollit doganor për parregullsi, por kjo nuk e pengoi gjykatën të jepte vendimin me mbajtje në paraburgim.