“Trashëgimia jonë në art”, fëmijët e Durrësit promovojnë kulturën përmes këngës, valles dhe pikturës
Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës zhvilloi aktivitetin “Trashëgimia jonë në art”, një veprimtari kushtuar promovimit të vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare përmes artit dhe krijimtarisë së fëmijëve.
Aktiviteti solli një koncert artistik me këngë dhe valle tradicionale të interpretuara nga Ansambli i QKF Durrës, si dhe një ekspozitë pikture me punime të realizuara nga nxënësit, të frymëzuara nga bukuria dhe pasuria e veshjeve tradicionale shqiptare.
Përmes interpretimeve dhe krijimeve të tyre artistike, fëmijët dëshmuan talentin, kreativitetin dhe dashurinë për kulturën kombëtare, duke përcjellë mesazhin se trashëgimia shqiptare vazhdon të frymëzojë brezat e rinj dhe të mbetet një vlerë që ruhet me krenari.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit shprehu mirënjohjen për të gjithë fëmijët pjesëmarrës, prindërit që i mbështetën, si edhe për të ftuarit që morën pjesë në këtë aktivitet, duke kontribuar në suksesin dhe atmosferën e veçantë të kësaj dite kushtuar artit, traditës dhe identitetit kombëtar.