Tre të mitur ndalohen për tentim vrasje pas përleshjes me mjete të mprehta në Gjilan
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për të Mitur, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në Gjilan, dje rreth orës 13:00 ka ndaluar tre persona të mitur, të cilët dyshohen për veprën penale “Tentim vrasje”, sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Sipas prokurorisë, rasti ka ndodhur në rrugën “Mësuesit e viteve 90’ta” në Gjilan, ku dy grupe, pas një mosmarrëveshjeje, janë rrahur fizikisht mes vete; gjatë rrahjes janë përdorur mjete të mprehta, duke pësuar lëndime trupore, siç njofton KosovaPress.
Me të marrë informacionet e para, policia ka reaguar menjëherë dhe, në bashkëpunim me prokurorin e shtetit, i ka ndaluar të miturit për 24 orë.
Prokuroria ka filluar hetimet ndaj të miturve dhe, brenda afateve kohore, ka paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Gjilan, Departamentit për të Mitur.