Friday, 25 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Tre vjet nga Banjska, Eksperti i sigurisë: Beogradi po investon në një narrativë që mbron strukturat kriminale

Tre vjet nga Banjska, Eksperti i sigurisë: Beogradi po investon në një narrativë që mbron strukturat kriminale

Eksperti i sigurisë Avni Islami ka reaguar ndaj deklaratave të drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në përvjetorin e tretë të ngjarjeve në Banjskë.

Petkoviq të enjten deklaroi se Prishtina nuk ka dhënë përgjigje për disa çështje që lidhen me vdekjen e tre pjesëtarëve serbë të grupit të armatosur, ndërsa pretendoi se ata ishin vrarë pasi ishin kapur. Ai kërkoi, ndër të tjera, publikimin e rezultateve të autopsisë dhe ngriti pikëpyetje për përfshirjen e patologëve serbë dhe EULEX-it në hetime.

Islami i ka cilësuar deklaratat e Petkoviqit si përpjekje për ndryshimin e narrativës lidhur me ngjarjet e 24 shtatorit 2023.

“Deklaratat e drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, shfaqin një përpjekje të pastër klasike për të ndryshuar narrativën e një sulmi të dështuar terrorist përmes teknikave të dizinformimit dhe propagandës asimetrike”, ka shkruar Islami.

Sipas tij, fokusi te rrethanat e vdekjes së tre pjesëtarëve të grupit të armatosur synon të zhvendosë vëmendjen nga përgjegjësia për organizimin dhe armatosjen e grupit.

Ai ka theksuar se në përleshjen e armatosur në Banjskë u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Fokusimi i Beogradit te rrethanat e vdekjes së tre pjesëtarëve të grupit të armatosur nuk është gjë tjetër veçse një tentativë për të shmangur përgjegjësinë kryesore: organizimin, financimin dhe armatosjen e një formacioni paramilitar që cenoi drejtpërdrejt rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke vrarë në krye të detyrës rreshterin e Policisë së Kosovës, heroin Afrim Bunjaku”, ka deklaruar Islami.

Ai i ka cilësuar pretendimet e Petkoviqit për “ekzekutime të të burgosurve” dhe mungesë transparence si pjesë të asaj që e quan “luftë hibride”.

Sipas Islamit, këto pretendime synojnë të vënë në pikëpyetje institucionet e Kosovës dhe mënyrën se si janë zhvilluar hetimet.

“Pretendimet e Petkoviqit për ‘ekzekutime të të burgosurve’ dhe mungesë transparence janë taktika standarde të luftës hibride, të cilat synojnë të viktimizojnë agresorin dhe të ulin besueshmërinë e institucioneve legjitime të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë, të cilat udhëhoqën operacionin në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Islami ka komentuar edhe pyetjet e ngritura nga Petkoviqi për rolin e EULEX-it dhe patologëve serbë, duke argumentuar se institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi për zhvillimin e hetimeve.

“Mbi të gjitha, përpjekja për t’i glorifikuar dhe shpallur si ‘jo-terroristë’ personat që u futën me armatim të rëndë ushtarak në veri tregon se Beogradi nuk po kërkon të vërtetën juridike, por po investon në krijimin e një narrative politike të rrezikshme që mbron strukturat kriminale dhe kërcënon stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”, ka përfunduar Islami./Telegrafi/

Lini një koment