Trump largohet nga Kina me premtime për marrëveshje tregtare, por pa qartësi për Iranin dhe Tajvanin
Vizita u shoqërua me ceremoni madhështore shtetërore dhe tone miqësore mes Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, por në fund mbetën shumë pikëpyetje mbi drejtimin e marrëdhënieve strategjike mes dy fuqive më të mëdha të botës.
Trump, gjatë kthimit me Air Force One, deklaroi se kishte diskutuar me Xi për Tajvanin, por nuk kishte marrë asnjë angazhim konkret.
“E dëgjova atë. Nuk bëra koment dhe nuk mora asnjë angazhim,” tha Trump për gazetarët.
Presidenti kinez kishte paralajmëruar më herët se çështja e Tajvanit mbetet “tema më e rëndësishme” në marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe se çdo gabim mund të çojë në përplasje të rrezikshme mes dy vendeve.
Trump gjithashtu konfirmoi se ende nuk ka vendosur nëse do të miratojë paketën e re të armëve amerikane për Tajvanin, e cila tashmë ka mbështetje të fortë në Kongresin amerikan.
“Do të marr një vendim. Por gjëja e fundit që na duhet tani është një luftë 15 mijë kilometra larg,” deklaroi ai.
Ndërkohë, Tajvani reagoi duke theksuar se do të vazhdojë të forcojë lidhjet strategjike me SHBA-në përballë rreziqeve në rajon.
Një tjetër temë kryesore ishte konflikti me Iranin dhe situata në Ngushticën e Hormuzit. Trump tha se ai dhe Xi kishin diskutuar gjatë për nevojën e rihapjes së rrugëve detare dhe ruajtjen e armëpushimit, por mohoi se kishte kërkuar ndihmë direkte nga Pekini ndaj Teheranit.

“Nuk po kërkoj favore nga Kina për Iranin,” tha Trump.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi deklaroi se Pekini mbështet zgjidhjen diplomatike të mosmarrëveshjeve dhe rikthimin e stabilitetit në rajon.
Në aspektin ekonomik, Trump e quajti vizitën “një sukses të jashtëzakonshëm tregtar”. Ai deklaroi se Kina ka rënë dakord të blejë 200 avionë nga Boeing, në atë që mund të jetë marrëveshja më e madhe mes dy vendeve në sektorin e aviacionit në më shumë se një dekadë.
Shtëpia e Bardhë gjithashtu tha se Kina mund të rrisë importet e naftës dhe produkteve bujqësore amerikane.
Megjithatë, detajet konkrete të marrëveshjeve nuk u publikuan menjëherë, ndërsa pala kineze u tregua shumë më e rezervuar në deklaratat zyrtare. Pekini konfirmoi vetëm krijimin e një këshilli tregtar dhe një këshilli investimesh mes dy vendeve.
Trump nuk dha asnjë sqarim edhe për fatin e marrëveshjes së përkohshme tregtare të vitit të kaluar, e cila uli tensionet tarifore mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
“Ne nuk diskutuam tarifat,” tha ai shkurtimisht.
Vizita e parë e Trump në Kinë gjatë mandatit të tij të dytë duket se prodhoi më shumë simbolikë politike dhe premtime ekonomike sesa vendime konkrete mbi çështjet më të rrezikshme globale.