Turi ballkanik i Von der Leyen/ Redi Muçi: Fjalët e presidentes së KE-së janë jashtë kontekstit realiteti shqiptar
Në emisionin “3D” në RTSH, të moderuar nga Alban Dudushi, u zhvillua një debat mbi mesazhet politike dhe domethënien e vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Tiranë gjatë turit të saj ballkanik.
I ftuar në studio, Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, u shpreh kritik ndaj deklaratave nga Brukseli për ecurinë e reformave në Shqipëri, duke i cilësuar ato si qëndrime gjeopolitike jashtë kontekstit real të vendit.
“Synimi i Bashkimit Evropian qartazi është për t’u zgjeruar për nevojat e veta, për të thënë që “ka shumë gjëra që nuk shkojnë me Bashkimin Evropian, por të paktën po zgjerohemi”. Dhe në këtë kontekst do të profitojë edhe Shqipëria, edhe Mali i Zi, me kushtet e reja që po vendosin për anëtarë të kategorisë së dytë. Se janë këta 27 të kategorisë së parë, jemi dhe ne që s’kemi të drejtë vetoje, që kemi frena nëse abuzohet me fondet që vijnë nga BE-ja. Pra, një lloj justifikimi që Edi Rama sigurisht do ta shfrytëzojë për të thënë që “ja se ju futa në BE”, por nga ana tjetër që do të jemi, thashë, anëtarë të kategorisë së dytë. Dhe kjo nuk besoj se i shërben shqiptarëve. Sidomos procesi deri në momentin kur Edi Rama të jetë i detyruar që të shfuqizojë ligjin e 2021-2024-ës për hir të negociatave dhe ligjin për investimet strategjike e eventualisht dhe paketën e maleve — deri në atë moment që besoj do shtrihet deri në vitin 2029 — Shqipëria ndërkohë do jetë e masakruar, do jetë e ndarë copa-copa për të realizuar atë që është vizioni i Edi Ramës, që është “The Albanian Files”: 500 projekte në mbarë Shqipërinë pa asnjë kriter urbanistik, thjesht grabitje e pronës, shkatërrim i natyrës dhe kulla e resorte!”, tha ai.
Më tej, Muçi deklaroi se modeli i ri i zgjerimit të BE-së do t’i trajtojë vendet e Ballkanit Perëndimor si “anëtarë të kategorisë së dytë” — pa të drejtë vetoje dhe me kufizime — çka sipas tij do të shfrytëzohet nga mazhoranca për propagandë, ndërkohë që deri në vitin 2029 territori dhe pronat e vendit rrezikojnë të tjetërsohen plotësisht nga projekti i betonizimit.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.