Friday, 23 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›UKRAINË – Mbi 500 mijë banorë pa energji elektrike pas sulmeve ruse

UKRAINË – Mbi 500 mijë banorë pa energji elektrike pas sulmeve ruse

KIEV, 23 tetor /ATSH-Ukrinform/- Sulmet e reja ajrore të Rusisë ndaj objekteve të furnizimit me energji elektrike, kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë në Ukrainë, duke lënë pa energji më shumë se 500 mijë njerëz, njoftuan sot autoritetet ukrainase.

Sipas Ministrisë së Energjisë së Ukrainës, ndërprerjet kanë prekur rajonet si, Zhytomyr, Volyn, Mykolaiv, Poltava, Khmelnytskyi dhe Rivne.

Ekipet e kompanive të energjisë, kanë nisur punën për riparimin e dëmeve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike, por puna po pengohet nga sulmet e vazhdueshme ruse.

Ndërhyrjet po kryhen vetëm aty ku kushtet e sigurisë e lejojnë.

Ministria njoftoi gjithashtu se mund të ketë ndërprerje të energjisë sipas orareve të përcaktuara, si dhe kufizime në sasinë e energjisë, që mund të përdorin fabrikat dhe bizneset.

Sipas autoriteteve, këto masa synojnë të mbajnë në funksion rrjetin elektrik dhe të shmangin ndërprerje edhe më të mëdha të energjisë.

Lufta e nisur nga Rusia kundër Ukrainës ka hyrë në vitin e pestë.

Gjatë kësaj periudhe, Moska ka shtuar sulmet ndaj objekteve të prodhimit dhe furnizimit me energji, në një përpjekje për të dobësuar qëndresën e popullsisë ukrainase gjatë muajve të ftohtë.

Ukraina deklaron se sulmet po shkaktojnë dëme veçanërisht të mëdha këtë vit, pasi vendi nuk ka raketa të mjaftueshme, të siguruara nga vendet perëndimore, për të ndaluar sulmet e përditshme me dronë dhe raketa ruse. /

Lini një koment