Vapa rekorde vë në provë gatishmërinë e Gjermanisë
Thirrjet për masa më të forta mbrojtëse nga temperaturat ekstreme janë bërë më të zëshme në Gjermani, pasi fundjava me vapë rekorde ka shkaktuar probleme në spitale dhe shtëpi të kujdesit, ka dëmtuar infrastrukturën rrugore dhe ka penguar qarkullimin hekurudhor.
Qeveria federale tha se përgjegjësia për përballimin e situatës u takon landeve dhe autoriteteve lokale, por Katharina Droge, kryetare e grupit parlamentar të Partisë së Gjelbër në Bundestag, akuzoi Qeverinë e kancelarit Friedrich Merz se nuk ka ndërmarrë masa për t’i mbrojtur qytetarët nga i nxehti ekstrem.
“Friedrich Merz mund ta injorojë vapën nga kancelaria me ajër të kondicionuar, por infermierët në spitale nuk munden”, tha Droge për transmetuesin publik ARD.
“Ata punojnë në temperatura përvëluese, ndërsa të moshuarit në shtëpitë e kujdesit vuajnë, sepse nuk ka ajër të kondicionuar. Prandaj, kemi kërkuar që të ndërmerren masa urgjente”, tha ajo.
Pasi temperaturat në lindje të Gjermanisë arritën rekordin prej 41.7 gradësh Celsius, Droge kërkoi që spitalet, shtëpitë e kujdesit, çerdhet dhe shkollat të pajisen sa më shpejt me sisteme të ajrit të kondicionuar.
Ajo propozoi gjithashtu subvencionimin e pajisjeve të ajrit të kondicionuar që funksionojnë me energji nga panelet diellore.
“Në verë, panelet diellore prodhojnë aq shumë energji elektrike të lirë, saqë përdorimi i ajrit të kondicionuar në kombinim me to është plotësisht i realizueshëm”, tha ajo.