Vazhdojnë replikat, Rama: Ditën që Dejona Mihali i del në mbrojtje të LDK-së, LDK-ja duhet me e këqyrë veten seriozisht në pasqyrë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vazhduar replikat me Dejona Mihalin, koordinatore e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje.
Rama në një postim në Facebook shkruan se Dejona Mihali ka refuzuar padinë, gjersa thotë se ditën që Dejona Aleksander Mihajli del në mbrojtje të LDK-së, LDK-ja duhet me e kqyrë veten seriozisht në pasqyrë.
“Dejona Mihajli e paska refuzu pranimin e padisë. Pse? A nuk i njeh institucionet e Republikës së Kosovës? A nuk i njeh ligjet dhe të drejtat që i garanton shteti ynë?
Apo ka qenë e zanun duke e mbrojtë LDK-në?
Ditën që Dejona Aleksander Mihajli del në mbrojtje të LDK-së, LDK-ja duhet me e kqyrë veten seriozisht në pasqyrë”, shkruan Rama.
Ndryshe, replikat ndërmjet kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe koordinatores së komiteteve në LVV janë duke vazhduar që disa ditë.
Mihali e ka quajtur Ramën “klloun” e “sekser”, gjersa ka hedhur akuza për krim të organizuar dhe korrupsion.
Ndërkaq, Rama ka reaguar ndaj zyrtares së Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar për gjuhë përçarëse, shpifje dhe fushatë diskreditimi ndaj tij dhe figurave publike, ndërkaq kishte paralajmëruar edhe padi për shpifje. /Telegrafi/