VIDEO/ Kaos në Stamboll, boksieri francez sulmohet nga turma pas fitores ndaj kundërshtarit turk
31-vjeçari Aliev fitoi duelin e zhvilluar gjatë fundjavës, por festimi i tij u shoqërua me provokime ndaj publikut, i cili mbështeste boksierin vendas. Situata doli shpejt jashtë kontrollit, kur disa spektatorë hynë në ring dhe nisën ta godisnin.
Sipas raportimeve të mediave, sulmuesit e qëlluan boksierin me grushte dhe karrige për disa minuta, ndërsa organizatorët patën vështirësi ta nxirrnin nga salla dhe ta largonin nga turma.
Raportohet se Aliev ka pësuar dëmtime të rënda dhe është shtruar në spital, në terapi intensive. Gjendja e tij shëndetësore nuk është konfirmuar ende nga burime zyrtare.
Boksieri francez është i njohur edhe për publikun shqiptar. Në nëntor 2025, ai mori pjesë në një aktivitet ndërkombëtar boksi në sallën e Parkut Olimpik “Feti Borova” në Tiranë, ku mposhti Joni Molinën që në raundin e parë, pasi e rrëzoi katër herë në ring.
Aliev konsiderohet një nga boksierët në ngjitje në kategorinë e peshave të rënda, por këtë herë fitorja sportive u la në hije nga dhuna që shpërtheu pas përfundimit të ndeshjes.