Videot vertikale fitojnë audiencë, por studimet ngrenë shqetësime për vëmendjen
Videot e shkurtra në TikTok, Instagram Reels dhe YouTube Shorts janë bërë pjesë e përditshme e konsumit të përmbajtjes në telefon. Por disa studime sugjerojnë se përdorimi i shpeshtë i tyre mund të lidhet me vështirësi në ruajtjen e vëmendjes.
Ndërkohë, po rritet edhe një format tjetër: “micro-drama” ose filmi vertikal. Një histori ndahet në dhjetëra episode shumë të shkurtra, të xhiruara posaçërisht për ekranin vertikal të telefonit. Ky format synon të marrë ritmin dhe angazhimin e rrjeteve sociale dhe t’i aplikojë te filmat dhe serialet.
Ky format kombinon elementet e tregimeve seriale me karakteristikat e përmbajtjeve të rrjeteve sociale: episode të shkurtra, ritëm të shpejtë dhe fokus te angazhimi i menjëhershëm i përdoruesit.
Një nga kërkimet më të mëdha për këtë çështje është një meta-analizë e publikuar në vitin 2025 në revistën shkencore “Psychological Bulletin”. Studiuesit analizuan 71 studime me më shumë se 98 mijë pjesëmarrës. Rezultatet treguan se përdorimi më i madh i videove të shkurtra lidhej me rezultate më të dobëta në disa aftësi njohëse, veçanërisht në vëmendje dhe kontrollin e impulseve. Studiuesit theksojnë se kjo është një lidhje statistikore dhe nuk provon se videot janë shkaku i drejtpërdrejtë i këtyre problemeve.
Një tjetër studim i publikuar në vitin 2026 në revistën “Acta Psychologica” krahasoi mënyrën se si njerëzit përjetojnë shikimin intensiv të videove të shkurtra me përmbajtjet e gjata. Në studim morën pjesë 415 persona. Rezultatet treguan se shikimi intensiv i videove të shkurtra lidhej me një përvojë më pak pozitive dhe rikuperim më të dobët nga stresi i përditshëm krahasuar me përmbajtjet e gjata.
Këto rezultate nuk do të thonë se shikimi i TikTok, Reels apo Shorts dëmton automatikisht vëmendjen. Ato tregojnë se sa më intensiv të jetë konsumimi i videove të shkurtra, aq më shumë shfaqen lidhje me probleme të vëmendjes dhe disa tregues të mirëqenies.
Debati tashmë nuk është vetëm nëse videot vertikale tërheqin më shumë klikime dhe shikime, por edhe çfarë humbet kur përmbajtja ndërtohet gjithnjë e më shumë për të kapur vëmendjen brenda pak sekondash.