“Vidh edhe ti”, debat mes Kokës dhe Manjanit: Pse e bën personale?
Një debat i fortë me tone të larta ka shoqëruar përplasjen mes juristit Ylli Manjani dhe gazetarit Bledian Koka, të ftuar në emisionin Now me Erla Mëhillin në Euronews Albania.
Pika e diskutimit u fokusua te blerja e votave, moraliteti politik dhe qëndrimet ndaj pushtetit të Edi Ramës. Përplasja kulmoi kur Manjani iu përgjigj akuzave për manipulimin e zgjedhjeve nga kryeministri me ironinë “vidh edhe ti”, çka nxiti reagimin e menjëhershëm të Kokës, i cili refuzoi këtë logjikë duke deklaruar se morali i tij nuk e lejon vjedhjen.
Debati mes Kokës dhe Manjanit:
Ylli Manjani: Pikëpamja ime ka qenë, mbetet dhe do të mbetet: ai që shet votën është faq e zi dhe ai që e blen votën është i pafytyrë. Ndërsa sa i takon pjesës sime për shtetin, për ligjin, për proceset e procedurat, ky kam qenë, ky jam dhe ky do të jam. Unë s’heq dorë nga kjo.
Teza është kjo: përgjegjësia politike e një kryeministri kostohet, pra fillon kostoja, ka kuptim në momentin kur ti sheh që ke diçka përballë dhe ai është ezber; kjo ka ndodhur dhe është kriza më e madhe politike në të cilën ne jemi zhytur në Shqipëri në 16 vitet e fundit. Këtë s’duan ta kuptojnë dhe kësaj i bëjnë anash. Çfarë morali, cilin moral po na tregoni? Cilin moral, ka mundësi të ma shpjegosh?
Koka: Këtë moral minimalisht do ta vendosë presioni i opinionit publik, i cili duhet të konstatojë se jo, ajo që thotë Ylli është deri diku e vërtetë, pra ideja që këtu s’ka një kandidat. Problemi është që, për të pasur një kandidat këtu, duhet të pranojmë që këtu s me sa duket s’ka zgjedhje. Po kur ne thoshim s’ka zgjedhje, Ylli thoshte: “Bravo i qoftë Edi Ramës që i blen zgjedhjet dhe që i merr zgjedhjet.”
Ylli Manjani: Falsitet!
Koka: Sa herë ke thënë “bravo ti që i fiton zgjedhjet”? Ai nuk fiton zgjedhje, mor! Në qoftë se ti thua zgjedhjet, unë them që ai i blen zgjedhjet. Jo mor jo, qenka kaq i fortë ky Edi Rama?
Ylli Manjani: Ky është fakt, nuk është analizë.
Koka: Ky edhe vidhka, edhe shkon nga 74 në 84, dhe kjo qenka e suksesshme dhe legalizohet në Shqipëri?
Ylli Manjani: Vidh edhe ti!
Koka: Jo, unë s’kam moral për të vjedhur! Këtu ndahemi, ja ku është morali. Unë mendoj që ti punon me djersën tënde, nuk vjedh. Edi Rama, që kur ka vënë këmbën në pushtet, vetëm vjedh.
Ylli Manjani: Pse e bën personale?
Koka: E bën personale me Edi Ramën. Problemi është që ti afiliohesh me Edi Ramën, e justifikon Edi Ramën për gjërat që nuk i bën vetë.
Ylli Manjani: Unë Edi Ramën aty e kisha.
Koka: Ti mos u afilio me Edi Ramën për gjërat që nuk i bën vetë, se Edi Rama ta ka prishur të ardhmen dhe emëron Gysin në Vlorë, Ylli Prodan, Erion Veliajn dhe Belinda Ballukun, që janë turpi i njerëzimit për të qeverisur Shqipërinë! Dhe këtë na ka ofruar, kjo është më e rëndë se sa doli apo s’doli një sekret nga Gjykata.
Ylli Manjani: Unë, zotëri, me këtë që e ke personal me mua, abonohem me ideologjinë time. Nëse kjo ideja ime i shkon përshtat Edi Ramës, c’est la vie! Siç i shkon përshtat Sali Berishës, c’est la vie! Unë e di që për këtë gjë shahem.