VV paralajmëron ftesa për takime të reja për Presidentin, Rrustemi: Qasja jonë për emër konsensual nuk ndryshon
Ndërsa po afrohet afati përfundimtar për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje paralajmëron intensifikim të takimeve me partitë e tjera politike, duke theksuar se ditët e pakta që kanë mbetur duhet të shfrytëzohen për gjetjen e një emri konsensual, përpara se vendi të futet në një cikël të ri zgjedhor.
Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, i tha Ekonomia Online se partia e tij nuk e përjashton rritjen e ritmit të takimeve në ditët e ardhshme, duke kërkuar vullnet politik nga të gjitha forcat politike. “Ne kemi ftuar vazhdimisht për takime e bashkëpunim… do të ketë ftesa për takime, janë të domosdoshme takimet, duhet t’i intensifikojmë sepse kemi shumë pak ditë në dispozicion”, tha ai.
Rrustemi kujtoi marrëveshjen e mëparshme me LDK-në për një emër konsensual, e cila dështoi pasi gjashtë deputetë të kësaj partie u rreshtuan kundër. I pyetur nëse VV do të propozonte një emër konsensual e jo partiak, ai u përgjigj se kjo ka qenë gjithmonë qasja e partisë së tij — dhe se ajo nuk ndryshon.
Deputeti i Vetëvendosjes pretendoi se PDK-ja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës refuzojnë bashkëpunimin, ndërsa paralajmëroi se moszgjedhja e Presidentit dhe shkuarja në zgjedhje të reja do ta dëmtonin vendin, duke e lidhur këtë edhe me çështjet që lidhen me Gjykatën Speciale në Hagë. “Vetëm se dëmtojmë buxhetin, dëmtojmë interesat e Kosovës dhe humbim kohë të çmueshme”, tha ai.
Rrustemi shtoi se vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese nuk është publikuar ende dhe se asnjë emër konkret nuk është diskutuar deri tani. Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 6 tetori, me afatin 60-ditor që ka nisur më 8 gusht.
Burimi: Gazeta Express (Ekonomia Online)