Zbulohet analiza teknike e UEFA-s, pse fati u tregua i pamëshirshëm me Shqipërinë dhe shpërbleu Kosovën!
Kombëtarja shqiptare e futbollit zbret sot në tapetin e “Arenës Kombëtare” për të zhvilluar seancën e fundit stërvitore, përpara sfidës përmbyllëse të kësaj faze intensive në Ligën e Kombeve.
Mbrëmjen e nesërme, djemtë e trajnerit Maran do të përballen me San Marinon, por vëmendja është e ndarë mes fushës dhe llogaritjeve të UEFA-s.
Panorama ka ndryshuar tërësisht pas ndeshjeve të fundit që u luajtën në fundjavë. Humbja 2-1 që Shqipëria pësoi nga Finlanda në Helsinki ka tronditur pozitat e kuqezinjve. Nisur nga këto rezultate, projeksionet tregojnë se Shqipëria rrëshqet momentalisht në vazon e katërt.
Kjo do të thotë se në shortin për kualifikueset e Europianit 2028, që do të hidhet më 6 dhjetor, kuqezinjtë rrezikojnë një “grup ferri” me kundërshtarë jashtëzakonisht të vështirë. Nëse situata mbetet kështu, për skuadrën e Maran do të niste një malore e vërtetë për të përmbushur ambicien drejt Europianit.
Në kontrast të plotë me ne, Kosova po përjeton një moment të artë. Pika e marrë në “Fadil Vokrri” pas barazimit 1-1 me Austrinë, ka mjaftuar që “Dardanët” të ngjiten në vazon e dytë. Ky pozicionim i bën ata shumë më të favorshëm për një grup të kalueshëm, duke shënuar një hap historik nëse arrijnë të qëndrojnë në të njëjtat “ujëra”.
Në këtë situatë dramatike llogarish, sfida e nesërme merr një rëndësi jetike. Kuqezinjtë numërojnë 2 fitore dhe 1 humbje deri tani, ndërkohë që luajnë përballë San Marinos, pa diskutim skuadrës më të dobët të grupit (3 ndeshje, 3 humbje).
Për Shqipërinë nesër nuk mjafton thjesht fitorja; duhet një goleadë bindëse për të rregulluar golaverazhin dhe për të tentuar rikuperimin e terrenit të humbur në renditjen e përgjithshme të UEFA-s, me shpresën për t’i shpëtuar vazos së katërt.