Zgjedhjet vendore 2027, Albana Koçiu: Javës tjetër nis kalendari intensiv i takimeve. Të afrojmë të rinjtë në PS
Bashkëdrejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, njëherësh zëvendëskryeministre, Albana Koçiu, mbajti fjalën e saj në Asamblenë e PS-së në kryeqytet, ku njoftoi nisjen e një kalendari intensiv takimesh në terren që nga java e ardhshme dhe bëri thirrje për përfshirjen e gjerë të qytetarëve, grave dhe të rinjve në prag të zgjedhjeve vendore.
Duke e nisur përshëndetjen e saj në rolin e bashkëkryetares së Tiranës, Koçiu theksoi se përgjegjësinë e ndan së bashku me strukturat dhe me Ervinin, me fokus fitoren e majtë në zgjedhjet e pushtetit vendor për Bashkinë e Tiranës.
“Kjo është përshëndetja ime e parë në fakt në cilësinë e bashkëkryetares së Tiranës dhe për hir të vërtetës do dua që me të gjithë ju të ndaj peshën e përgjegjësisë për besimin e dhënë dhe për angazhimin që duhet të kemi së bashku të gjithë kështu si një skuadër e madhe për fitoren e majtë për zgjedhjet e pushtetit vendor për bashkinë e Tiranës. Përgjegjësinë e ndaj në fakt së bashku me Ervinin dhe të dy së bashku do të japim besën për të qenë në çdo organizatë socialiste, me çdo socialistë të vërtetë, por dhe me ata që janë mërzitur nga ne, për t’i dëgjuar në çdo hall, në çdo shqetësim dhe për të lidhur sërish besën për të qenë të pranishëm, për të dëgjuar jo vetëm shqetësimet, por dhe sugjerimet e tyre, ashtu siç edhe kryetari, kryeministri Rama e tha, ne duhet të ndryshojmë mënyrën e organizimit të Partisë Socialiste në territor”, u shpreh Koçiu.
Ajo nënvizoi se qasja e re organizative në territor do të bazohet te prania e drejtpërdrejtë “derë më derë” dhe te hapja e dyerve për çdo komunitet apo qytetar që dëshiron të kontribuojë me ide dhe sugjerime në politikat publike.
“Do ta bëjmë këtë bashkë duke qenë prezent derë më derë, duke përfshirë çdo komunitet, çdo shtresë, sepse Partia Socialiste është një derë e hapur për të gjithë. Nisma që do të prezantojmë pak më vonë në fakt edhe e dëshmon këtë. Dera e hapur është për këdo që mendon që ka një zë në komunitet, që mendon se përfaqëson më së miri komunitetin e tij, ka dëshirë të jetë aktiv në politikat publike. E për këtë qëllim ne me organizatat tona socialiste do bëjmë të mundur që të mos lëmë askënd i cili ka një mendim, një sugjerim të vlefshëm për të përmirësuar qytetin tonë”, deklaroi ajo.
Në vijim, zëvendëskryeministrja vlerësoi rolin dhe energjinë e grave socialiste, duke sjellë në vëmendje përvojën e saj të mëparshme si drejtuese politike në njësinë 11 në Laprakë dhe në njësinë gjashtë në Kombinat, si dhe rëndësinë e ekuilibrit dhe përfaqësimit të tyre në çdo nivel.
“Ndërkohë nga ana tjetër nuk do të lija pa përmendur këtu dhe forcën e jashtëzakonshme të grave socialiste. Kudo ku unë kam patur eksperiencën time si drejtuese politike në njësinë 11 në Laprakë, në njësinë gjashtë në Kombinat, kam vënë re një energji të jashtëzakonshme të grave. Gratë në Partinë Socialiste kanë qenë gjithmonë të mirëpritura. Kjo falë edhe vizionit të kryetarit Edi Rama për t’i hapur dyert jo vetëm në organizimet e partisë, por në qeverisje, në vendimmarrje, në politika publike. Do vazhdojmë ta bëjmë këtë së bashku. Do vazhdojmë t’i fuqizojmë gratë, të dëgjojmë zërin e tyre. Gratë janë të domosdoshme për të vendosur atë ekuilibrin në organizatat tona. Për këtë qëllim ne do duhet që bashkarisht të vijojmë dhe të afrojmë sa më shumë gra intelektuale, shtëpiake, ato të cilat përkujdesen çdo ditë për familjen e tyre, sepse me zërin e tyre, me përgjegjësinë dhe me vetëmohimin dhe sakrificën, jam e sigurt që do të na japin një vlerë të shtuar akoma më shumë”, tha bashkëdrejtuesja politike.
Duke u ndalur te modelit i bashkëdrejtimit grua-burrë dhe te puna brenda qelizave të partisë, Koçiu apeloi për afrimin e mëtejshëm të grave dhe të rinjve, në mënyrë që organizatat të jenë sa më pranë nevojave të përditshme të banorëve të Tiranës.
“Ne sot kemi një organizim në fakt partiak me bashkëkryetarë, një grua, një burrë. Do të vijojmë ta bëjmë këtë. Por ndërkohë nga ana tjetër do të doja që edhe brenda qelizave të Partisë Socialiste të vijonim të afronim gratë, të afronim të rinjtë, të dëgjojmë zërat e tyre, sepse mendoj kështu ne do të fuqizojmë akoma më shumë atë dimensionin e organizatave tona për t’i bërë të mundura që t’i kemi më pranë nevojave, halleve, shqetësimeve të qytetarëve të Tiranës”, theksoi ajo.
Në mbyllje të fjalës së saj, Albana Koçiu konfirmoi se nga java e ardhshme nis puna intensivisht në terren, me mbështetjen e drejtuesve politikë, deputetëve dhe strukturave të kryeqytetit, në funksion të objektivit për “Tiranën 2030”.
“Nga java që vjen do të nisim në fakt një kalendar intensiv takimesh. Nuk do të jemi në zyra, do të jemi në terren, ashtu siç e thashë, derë më derë. Do na duheni ju të gjithë bashkë, do na duhen drejtuesit politikë, do na duhen deputetët. Tirana për hir të të vërtetës ka ekipin më të mirë të organizimit edhe për faktin që është Tirana e 1 milion banorëve e shumë komuniteteve. Kështu që jam e bindur që të gjithë së bashku do bëjmë më të mirën maksimumin së bashku me Ogertën, së bashku me Ervinin për Tiranën 2030”, përfundoi Koçiu.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.