Zjarri në Shashicë nën kontroll, riaktivizohet një vatër e re në drejtim të Drashovicës
Situata e zjarrit në Shashicë po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat e Mbrojtjes Civile.
Prefektja e Qarkut Vlorë po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën e krijuar nga zjarri në zonën e Shashicës, mbi Kavën e Gurit, i cili u shfaq mbrëmjen e 25 gushtit, rreth orës 20:00.
Për shkak të erës, zjarri mori përmasa të konsiderueshme, duke kërkuar angazhimin e kapaciteteve të Bashkisë Vlorë. Strukturat zjarrfikëse ndërhynë në terren, koordinuan veprimet dhe arritën ta vënë zjarrin nën kontroll, duke e shuar gjatë orëve të para të mëngjesit. Nuk pati rrezik të drejtpërdrejtë për banesat e zonës.
Gjatë ditës së sotme është konstatuar riaktivizimi i një vatre zjarri në drejtim të zonës ndërmjet Vodiçës dhe Drashovicës. Distanca dhe terreni i vështirë e bëjnë më të komplikuar ndërhyrjen me mjete dhe forca tokësore.
Prefektja është në komunikim të vazhdueshëm me strukturat e Mbrojtjes Civile dhe përgjegjësit e shërbimeve zjarrfikëse të Bashkive Vlorë dhe Selenicë, ndërsa situata po monitorohet në vijimësi dhe po koordinohen kapacitetet e nevojshme për çdo ndërhyrje të mëtejshme.
Mbrojtja e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve mbetet prioriteti kryesor.