Wednesday, 24 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaZogaj: Protestat humbasin forcën nëse personalizohen

Zogaj: Protestat humbasin forcën nëse personalizohen

Efekti real dhe jetëgjatësia e protestave të ditëve të fundit kanë qenë në qendër të debatit televiziv në emisionin “Trialog” në RTSH, nën moderimin e gazetares Alba Alishani.

I ftuar në studio për të analizuar dinamikat e fundit, analisti dhe shkrimtari Preç Zogaj mbajti një qëndrim ndaj tentativave për të futur në një kallëp të vetëm apo për të njëtrajtësuar klasën politike dhe lëvizjet qytetare në vend.

Zogaj argumentoi se rrugëtimi i Shqipërisë drejt portave të Bashkimit Evropian ka pasur kontribues të ndryshëm ndër vite dhe se teoritë përgjithësuese nuk i shërbejnë analizës reale.

“Ajo që thonë herë pas here, që e gjithë klasa politike është e dështuar, dhe këtu ka njerëz që kanë qenë deputetë të zgjedhur në mazhoritarë, kanë qeverisur, kanë drejtuar, kanë shënuar këtë histori të ecurisë së Shqipërisë deri këtu ku jemi në portat e Bashkimit Evropian, nuk qëndron. Nuk janë të gjithë në një thes, nuk janë të gjithë një lloj,” nënvizoi analisti.

Duke u ndalur specifikisht te natyra e protestave aktuale, Zogaj, i njohur edhe si autor i disa vëllimeve studimore mbi tranzicionin shqiptar, specifikoi se suksesi i një lëvizjeje popullore qëndron te aftësia për të bërë bashkë rryma të ndryshme ideologjike. Sipas tij, një protestë qytetare përmban brenda vetes një mozaik të gjerë bindjesh politike, që nga të majtët e zhgënjyer e deri te të djathtët radikalë.

Megjithatë, ky diversitet mbart rrezikun e shpërbërjes në momentin kur një grupim i caktuar tenton të marrë pronësinë mbi kauzën e përbashkët.

“Në qoftë se protesta identifikohet nga një prej korrenteve, ajo humbet magjinë. Sepse aty ka nga radikalë të majtë, ka të majtë të qendrës, ka socialistë që janë rebeluar me Partinë Socialiste, ka demokratë që kanë qenë të Partisë Demokratike por nuk janë dakord me drejtimin e saj sot. Është pra një potpuri. Ajo nuk mund të jetë kurrë një parti për mendimin tim. Ajo është një lëvizje,” u shpreh Zogaj.

Në analizën e tij, Zogaj tërhoqi një vijë ndarëse të qartë midis një lëvizjeje sociale dhe një partie politike klasike. Ai argumentoi se është teorikisht dhe praktikisht e pamundur që skajet e spektrit politik të shkrihen në një strukturë të vetme elektorale.

Parakushti i vetëm që kjo valë reagimi të shënojë sukses politik mbetet artikulimi i kërkesave të përbashkëta që prekin interesin publik, pa u vendosur nën logon apo udhëheqjen e zërave radikalë.

Analisti e mbylli argumentin e tij me një paralajmërim për ecurinë e mëtejshme të aksioneve qytetare në terren:

“Si lëvizje mund të shënojë sukses me disa kërkesa përbashkuese, por në qoftë se personalizohet nga njëri prej korrenteve, cili do të qoftë ai, unë them që lëvizja fillon dhe bie.”

Lini një koment