18-vjeçari nga Kosova dënohet me 9 vjet burg në Gjermani për tentativë vrasjeje me motive islamiste
Gjykata e Lartë Rajonale e Dyseldorfit e ka dënuar të martën (22 shtator) me nëntë vjet burg një 18-vjeçar nga Kosova, i cili kishte tentuar të vriste mësuesen e tij. Trupi gjykues e shpalli fajtor për dy raste të tentativës për vrasje dhe lëndim të rëndë trupor, të motivuara nga ekstremizmi islamist, bëri të ditur një zëdhënëse e gjykatës.
Sipas mediave gjermane, rreth një vit më parë, kur ishte ende 17-vjeç, nxënësi kishte planifikuar të vriste mësuesen kujdestare në shkollën profesionale, si dhe sa më shumë besimtarë hebrenj që të mundte në Sinagogën e Vjetër në Essen. Si arsye, ai pretendonte se mësuesja kishte fyer Profetin Muhamed.
Në ditën e sulmit, i riu fillimisht sulmoi dhe plagosi kujdestarin e një shkolle fillore, ku po kryente orë pune në komunitet, dhe pastaj e goditi mësuesen me thikë, duke i shkaktuar plagë kërcënuese për jetën në kraharor. Pasi e gjeti sinagogën të mbyllur, ai sulmoi me thikë një të pastrehë në një stacion autobusi.
Policia e ndaloi në një park aty pranë pasi ai nxori thikën — sipas aktakuzës, i dyshuari synonte të vdiste si “martir”. Një polic qëlloi dhe e goditi në fytyrë. Dënimi prej nëntë vjetësh u bazua në kërkesën e Prokurorisë Federale, vetëm një vit nën maksimumin prej dhjetë vjetësh që lejohet për të mitur.
Vendimi ende nuk është i formës së prerë: gjykata urdhëroi vendosjen e tij në një institucion për terapi sociale dhe nuk përjashtohet mundësia e ndalimit preventiv në të ardhmen.
Burimi: Klan Kosova