Wednesday, 23 September 2026
54°F Detroit
BallinaKosova31 mijë fëmijë më pak në listën e gushtit krahasuar me prillin, dyshohet abuzim me shtesat

31 mijë fëmijë më pak në listën e gushtit krahasuar me prillin, dyshohet abuzim me shtesat

Rënie e ndjeshme e numrit të përfituesve të shtesave për fëmijë është regjistruar gjatë muajve të fundit në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në gusht shtesat për fëmijët e moshës 0-16 vjeç janë përfituar nga 374 mijë e 382 fëmijë, ndërkaq në prill kjo shifër ishte 405 mijë e 935 — pra më shumë se 31 mijë përfitues më pak.

Rënia ka nisur që në muajin prill: në maj u regjistruan rreth 4 mijë përfitues më pak, në qershor shtesat i morën rreth 401 mijë fëmijë, ndërsa në korrik numri ra nën 392 mijë.

Për këto të dhëna ka reaguar eksperti i çështjeve sociale, Vebi Mujku, i cili në një postim në Facebook ngriti shqetësimin për atë që e konsideron abuzim me skemën e shtesave për fëmijë.

Sipas përllogaritjes së tij, diferenca prej mbi 31 mijë përfituesish, duke marrë për bazë një mesatare prej rreth 36 eurosh për fëmijë, përkthehet në mbi 1 milion euro më pak në muaj dhe rreth 13.5 milionë euro në vit. Mujku paralajmëroi se rënia mund të vazhdojë edhe në muajt në vijim dhe ngriti mundësinë që një pjesë e dallimit në shifra të lidhet me fëmijët e familjeve nga diaspora.

Burimi: Klan Kosova

Lini një koment