Wednesday, 23 September 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaDyshohet se lejuan ndërtimin pa leje, katër persona nën aktakuzë në Suharekë

Dyshohet se lejuan ndërtimin pa leje, katër persona nën aktakuzë në Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër katër personave, të dyshuar për parregullsi gjatë mbikëqyrjes dhe realizimit të punimeve ndërtimore në një objekt në Komunën e Suharekës.

Kundër të pandehurve H.M. dhe A.D. është ngritur aktakuzë për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, të kryer sipas dyshimit të bazuar mirë në bashkëkryerje. Ndërkohë, i pandehuri N.B. akuzohet për “Ndërtim pa leje”, ndërsa i pandehuri A.H. për “Punime ndërtimore të kundërligjshme”.

Rasti ka të bëjë me një objekt për të cilin ishte lëshuar leje ndërtimore, në të cilin janë përfshirë edhe zyrtarë komunalë. Për objektin ishte lejuar ndërtimi me etazhitet B+P+2, por ai është realizuar me B+P+3, si dhe janë bërë tejkalime të vijave ndërtimore për rreth 730 metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar përtej parametrave të lejuar.

Sipas Prokurorisë, këto tejkalime i kanë mundësuar investitorit përfitim në vlerë prej rreth 716 mijë euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm financiar në vlerën e taksave të papaguara.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Burimi: Klan Kosova

Lini një koment