Monday, 17 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga Shqiperia“78 ditë nuk gjetën dot liderin e tyre”, Spahiu: Protesta rrezikon të degradojë, nëse vijon me 2 mijë persona

“78 ditë nuk gjetën dot liderin e tyre”, Spahiu: Protesta rrezikon të degradojë, nëse vijon me 2 mijë persona

Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se nëse protestat që po zhvillohen në Tiranë do të vijojnë me një pjesëmarrje prej 2 mijë personash dhe pa lidership, janë të destinuara të degradojnë.

Komentet Spahiu i bëri në një lidhje live për Report Tv, ku tha se kjo mënyrë e të protestuarit, jo vetëm që nuk e rrëzon dot qeverinë, por sipas tij, i forcon më tepër kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Sali Berisha.

Mendoj që momentalisht protestën e ndan një kufij shumë i hollë mes suksesit dhe degradimit. Nëse kjo protestë do të vijojë në këto përmasa, nëse kjo protestë do të vijojë me 2 mijë vetë, nëse kjo protestë do vijojë pa organizim, strukturim, lidership, program, atëherë kjo protestë është e destinuar jo vetëm të dështojë dhe të mos rrëzojë qeverinë, por të forcojë dyshen Rama-Berisha. Pse e them këtë? Sepse çdo dobësi e kësaj proteste, e cila ka rritur pritshmërinë e popullin në maksimum, do të bëjë që populli të mos dalë më në protesta, sepse do të thonë ‘kur nuk ndodhi gjë me flamingot, atëherë s’mund të ketë ndryshime politike’”, tha mes të tjerash Spahiu.

Më tej Spahiu theksoi se një pjesë e personazheve kyçe që marrin pjesë në protestë, bëjnë një lojë të dyfishtë.

Spahiu shtoi se përderisa për 78 ditë nuk u gjet dot një lider i protestës, është shumë e vështirë që të gjendet tani, pasi sipas tij, tani infiltrohen personazhe që sipas tij bëjnë lojë të dyfishtë.

“Gabimet apo loja e dyfishtë që bëjnë disa personazhe, mund ta çojë protestën në dështim. Nuk është e rastit që në 2-3 muaj nuk ka shkëlqyer dot asnjë figurë. Kjo protestë që ka 2 muaj e gjysmë dhe nuk ka prodhuar dot as lider, as program, as parti, e ka të pamundur ta krijojë tani, sepse tani infiltrohen personazhe që bëjnë lojë të dyfishtë. Rama dhe Berisha janë të interesuar që protesta të mos mbyllet, por të degradojë. Nëse protesta do vijojë me 2 mijë veta, nuk është mënyrë për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë apo ndryshime drastike”, shtoi Spahiu.

Lini një koment