LVV: Presim vendimin e Kushtetueses, çdo veprim për Specialen duhet të vlerësohet me kujdes
Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke theksuar se kërkesa e parashtruar në këtë gjykatë nuk është tërhequr.
Sipas LVV-së, fillimisht duhet të pritet vendimi i Kushtetueses dhe më pas të vlerësohen implikimet juridike që mund të dalin prej tij.
“Presim që Gjykata Kushtetuese të vendosë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke pasur parasysh se kërkesa e parashtruar në Gjykatë nuk është tërhequr. Për këtë arsye, konsiderojmë të nevojshme që fillimisht të pritet vendimi i Gjykatës dhe të vlerësohen implikimet juridike që mund të dalin prej tij”, thuhet në përgjigjen e LVV-së për RTV Dukagjinin.
Sa i përket propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit, LVV ka deklaruar se do ta shqyrtojë atë nga aspekti juridik, përfshirë përputhshmërinë me kornizën ligjore në fuqi dhe efektet që një ndërhyrje e tillë mund të ketë në këtë fazë të procedurave pranë Dhomave të Specializuara.
LVV ka theksuar se, duke qenë se procedurat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së zhvillohen me ekipe të veçanta të mbrojtjes, çdo iniciativë duhet të vlerësohet edhe në raport me interesat dhe strategjitë juridike të secilit rast.
“Vlerësojmë se në këtë fazë është më e rëndësishme të ndërtohet një qasje institucionale dhe shtetërore e koordinuar, e mbështetur në analizë të plotë juridike”, thuhet më tej.
Sipas LVV-së, çdo veprim duhet të ndërmerret vetëm pasi të jenë vlerësuar pasojat e mundshme juridike, veçanërisht në raport me procedurën e apelit.
“Qëllimi duhet të jetë që veprimet institucionale të jenë të menduara, të bashkërenduara dhe të mos krijojnë pasoja të padëshiruara për proceset gjyqësore në zhvillim”, ka deklaruar LVV.