Njëzëri nga Mitrovica: Rini e të moshuar bashkë në protestë për çlirimtarët
Sot, të premten e 25 shtatorit, sheshi “Mehë Uka” në Mitrovicë u mbush me qytetarë të të gjitha moshave — nga të rinjtë e deri te të moshuarit — të cilët dolën në protestë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Me thirrjet “UÇK, UÇK”, protesta nisi në orën 17:00 dhe u mbajt nën motot “Liri për Çlirimtarët” dhe “Jo në emrin tim”.
Tubimi u shoqërua me fjalime të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarëve të dëshmorëve, përfaqësuesve të shoqatave të personave të zhdukur dhe studentëve të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Emocione të veçanta përcollën fëmijët e dëshmorëve Driton Veliu dhe Afrim Hajrizi, të cilët iu drejtuan protestuesve me fjalët e tyre, duke i dhënë tubimit një ton të veçantë e prekës.
Qytetarët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit të 16 shtatorit, me të cilin katër ish-krerët e UÇK-së — Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi — u dënuan në shkallën e parë, respektivisht me 25, 25, 18 dhe 13 vjet burg.
Protesta u organizua nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dhe Mitrovica iu bashkua kështu tubimeve të mbajtura sot në disa qytete të Kosovës.
Burimi: Klan Kosova